Rusia e kënaqur nga deklaratat e Trump për NATO-n
(last modified Mon, 16 Jan 2017 20:09:12 GMT )
Janar 16, 2017 21:09 Europe/Tirane
  • Rusia e kënaqur nga deklaratat e Trump për NATO-n

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e përshkroi NATO-n si një aleancë “e vjetëruar” dhe shtoi se kombe të tjera europiane me gjasë do të ndjekin shembullin e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian.

Kjo nuk është hera e parë që Trump bën të tilla komente për aleancën atlantiko-veriore, por fakti që ai i bëri gjatë një interviste të përbashkët për dy medie europiane si “The Times” të Londrës dhe gjermanes “Bild”, dhe vetëm pak ditë para se të marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë alarmoi diplomatët europianë. “U përballa me shumë kritika kur thashë se NATO ishte e vjetëruar, - është shprehur Trump. - Është e vjetëruar sepse nuk ka një strategji të qartë antiterror. Mora kritika të ashpra për dy ditë, ndërkohë që më pas ata nisën të thoshin se ‘Trump kishte të drejtë’”. Presidenti i zgjedhur tha se NATO ishte shumë e rëndësishme për të, por theksoi se vetëm 5 vende “paguajnë atë që duhet të paguajnë”. “Janë vetëm 5, jo më shumë sesa kaq”, tha ai. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Rusisë, që është shprehur në të njëjtën linjë me komentet e Trumpit për “vjetërsinë” e aleancës ushtarake NATO. Trump u shpreh më tej se vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja do të rezultojë të jetë “një gjë e rëndësishme” dhe parashikoi se të tjera vende do ta ndiqnin mbretërinë ishullore. “Njerëzit dhe vendet duan të kenë identitetin e tyre, për këtë arsye edhe Britania e Madhe vendosi të ketë identitetin e saj vetjak”, tha ai. Sa i përket Rusisë, Trump tha se shpresonte që të arrinte një marrëveshje me presidentin Vladimir Putin për të reduktuar stoqet e armëve bërthamore. Një gjë e tillë, sipas tij, do të ishte pjesë e bisedimeve të gjera për të ulur tensionet, përfshi këtu edhe heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

 

Tags