Amnesty International kritikon ligjet anti-terrorizëm të BE
https://parstoday.ir/sq/news/world-i42457-amnesty_international_kritikon_ligjet_anti_terrorizëm_të_be
Në një raport të Amnesty International  thuhet se një seri ligjesh të reja antiterrorizëm në mbarë Evropën diskriminojnë myslimanët dhe refugjatët, si dhe përhapin frikë dhe armiqësi.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 17, 2017 20:41 Europe/Tirane
  • Amnesty International kritikon ligjet anti-terrorizëm të BE

Në një raport të Amnesty International  thuhet se një seri ligjesh të reja antiterrorizëm në mbarë Evropën diskriminojnë myslimanët dhe refugjatët, si dhe përhapin frikë dhe armiqësi.

Grupi i të drejtave të njeriut ka dhënë alarmin në lidhje me masat e sigurisë të adoptuara gjatë dy viteve të kaluara në 14 shtete të BE-së, përfshirë fuqitë e shtuara në mbikëqyrje dhe gjurmim. Gjatë kësaj periudhe, sulmet e militantëve kanë shkaktuar rreth 280 viktima në Francë, Belgjikë dhe Gjermani. Sulmet, pjesa më e madhe e të cilave të marra përsipër nga ISIS, kanë ndezur tensionet mbi emigracionin, kanë rritur mbështetjen për partitë e krahut të djathtë dhe kanë shndërruar sigurinë në një temë kyçe në zgjedhjet e pritshme në Francë, Holandë dhe Gjermani. Qeveritë shohin një person dhe thonë ‘ti më dukesh i dyshimtë’. Viziton qendrat komunitare, shkon në një xhami të caktuar dhe të kufizojnë sjelljen, sepse mendojnë se në të ardhmen ti mund të kryesh një krim, thotë Julia Hall, eksperte e “Amnesty International” në çështjet e antiterrorizmit, që është edhe autore e raportit. Ajo paralajmëron se masat drakoniane të mbikëqyrjes dhe fuqitë shtesë të kërkimit, burgosjes dhe arrestimit, si ato të ndërmarra në Francë që nga nëntori i vitit 2015, kur sulmet i morën jetën 130 personave, mund të keqpërdoren për të vënë në shënjestër aktivistë apo grupe minoritare që nuk përbëjnë një kërcënim të mirëfilltë. AI u bëri apel vendeve të BE-së të kufizojnë masat e mbikëqyrjes për individët, bazuar thjesht te dyshimet.