Plani i Britanisë për realizimin e Brexit-it
Marrëveshja përfundimtare e rënë dakord me Bashkimin Europian do të nënkuptojë daljen e Londrës nga tregu i përbashkët europian.
Kjo ishte deklarata që i jep fund çdo dileme, nëse do të ketë një “Brexit” të fortë apo të butë, në divorcin përfundimar mes Londrës dhe Brukselit. Në një fjalim të mbajtur në “Lancaster House”, shtëpia historike e diplomacisë britanike ndaj Europës dhe ish-kolonive, zonja May shpalosi strategjinë britanike të negociimit me BE-në dhe botën, që kërkon - siç u shpreh ajo, - koncesione dypalëshe. Sesi do të përfundojnë këto negociata, kjo realisht nuk është se varet vetëm nga kryeministrja dhe Britania. Marrëveshja, kurdo që të arrihet, do të kalojë për miratim përpara Parlamenit britanik dhe Dhomës së Lordëve. Por kryeministrja nuk e bëri të qartë nëse një votë kundër marrëveshjes do të rezultojë në qëndrimin e Britanisë brenda BE-së ose jo, apo nëse një votë hipotetike kundër nga Parlamenti apo Dhoma e Lordëve do të thotë një largim nga blloku europian, pa pasur asnjë marrëveshje. Fjalimi i Theresa May ishte një lajm i mirë për ata që kanë kërkuar largimin dhe një lajm i hidhur për ata që donin që Britania të ishte qoftë edhe pjesërisht pjesë e Bashkimit Europian. Mesazhi i kryeministres britanike, Theresa May, ishte i qartë: Britania e Madhe përjashton mundësinë e një “anëtarësimi të pjesshëm në Bashkimin Europian”. May do të dërgojë një mesazh tjetër për udhëheqësit e tjerë europianë, ku do të bëjë të qartë se Londra dëshiron që të ketë sa më pak barriera në fushën ekonomike mes ishullit dhe kontinentit. Londra njofton se May do të bëjë publike 12 objektivat e Britanisë së Madhe në negociatat e vështira me Bashkimin Europian. Qeveria britanike ka bërë publike disa prej objektivave që synon të arrijë me Brexit. E para është kontrolli i plotë i kufijve dhe tjetra akses në tregun e përbashkët europian. Bisedimet formale për Brexit mes Londrës dhe Brukselit pritet të nisin në muajin mars. Fjalimi i kryeministres britanike drejtuar kombit, shkaktoi reagime të shpejta në vendet e BE-së. “Theresa May më në fund na qartësoi pak në lidhje me Brexit”. Ky ishte reagimi i parë i ardhur nga Gjermania pas fjalimit të kryeministres britanike, që foli gjatë në lidhje me synimet dhe objektivat e Londrës gjatë negociatave të shkëputjes. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se vlerësonte vullnetin dhe dëshirën e shprehur nga May për një qasje pozitive drejt Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të tij. “Edhe 27 vendet e BE-së synojnë marrëdhënie të mira, të afërta dhe besimplota me Britaninë dhe ndajnë dëshirën për negociata sa më konstruktive për largimin”, thotë kryediplomati gjerman në një deklaratë publike. Fjalimi është mirëpritur edhe nga Irlanda. “Në fjalimin e saj, kryeministrja May vuri theksin tek marrëdhëniet specifike dhe historike mes Britanisë dhe Irlandës. Në këtë kontekst, ajo e bëri të qartë se prioriteti i saj është ruajtja e zonës së përbashkët të fluturimeve dhe shmangja e rikthimit të kontrolleve të ashpra kufitare me Irlandën e Veriut. Ne përshëndesim që të dyja këto angazhime”, thuhet në deklaratën e qeverisë së Republikës së Irlandës.