Çka u vendos në bisedimet e Astanas për Sirinë?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i43209-Çka_u_vendos_në_bisedimet_e_astanas_për_sirinë
Bisedimet e paqes në Siri kanë përfunduar sot në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ku Irani, Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord për krijimin e një mekanizmi trepalësh për të mbështetur armëpushimin në Siri dhe për të monitoruar shkeljet e mundshme të tij.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Janar 24, 2017 11:53 Europe/Tirane
  • Çka u vendos në bisedimet e Astanas për Sirinë?

Bisedimet e paqes në Siri kanë përfunduar sot në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ku Irani, Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord për krijimin e një mekanizmi trepalësh për të mbështetur armëpushimin në Siri dhe për të monitoruar shkeljet e mundshme të tij.

Në deklaratën përfundimtare të përbashkët, e cila u lexua nga ministri i jashtëm i Kazakistanit Kairat Abdrakhmanov të martën pasdite, u theksua mbi rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit kombëtar të Sirisë. Treshja ka theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit në Siri dhe se kriza në këtë vend mund të zgjidhet vetëm përmes një procesi politik të bazuar në zbatimin e plotë të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Tre vendet po ashtu kanë rënë dakord për të punuar rreth një marrëveshje trepalëshe me qëllim mbikëqyrjen e armëpushimit në Siri, për të garantuar angazhimin e të gjitha palëve si dhe për të parandaluar shkeljet e mundshme të armëpushimit. Po ashtu në një pikë tjetër të deklaratës, Irani, Rusia dhe Turqia mbështesin pjesëmarrjen e opozitës së armatosur në Siri në bisedimet e sponsorizuara nga OKB mbi Sirinë, që janë planifikuar të mbahen në Gjenevë të Zvicrës në muajin e ardhshëm. Në deklaratë midis tjerash thuhet se tre vendet mbështesin "vullnetin e grupeve të armatosura opozitare për të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve", nën patronazhin e OKB në Gjenevë më 8 shkurt. Ata gjithashtu riafirmuan angazhimin e tyre për mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetin territorial të Sirisë si një vend demokratik. Mohamed Alush, i cili kryesonte delegacionin e opozitës siriane në bisedimet e Astana-s, tha se opozita ka pasur rezerva në lidhje me komunikatën e fundit të bisedimeve, duke shtuar se grupet opozitare kanë paraqitur një propozim të veçantë të armëpushimit. Ai tha se Rusia pritet t'i përgjigjet brenda një jave të propozimit të armëpushimit të ofruar nga grupet opozitare.