Qeveria rumune nuk pranon dorëheqjen, bën thirrje për qetësi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i44421-qeveria_rumune_nuk_pranon_dorëheqjen_bën_thirrje_për_qetësi
Me gjithë përshkallëzimin e protestave në Rumani, qeveria e këtij vendi nuk ka pranuar kërkesën e protestuesve për dorëheqje dhe u ka bërë thirrje atyre të ruajnë qetësinë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 07, 2017 16:52 Europe/Tirane
  • Qeveria rumune nuk pranon dorëheqjen, bën thirrje për qetësi

Me gjithë përshkallëzimin e protestave në Rumani, qeveria e këtij vendi nuk ka pranuar kërkesën e protestuesve për dorëheqje dhe u ka bërë thirrje atyre të ruajnë qetësinë.

Me shtimin e protestuesve në krahasim me ditët e mëparshme, qytetarët protestuan sërish në sheshin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen nga detyra e tij për shefin e ekzekutivit, Sorin Grindanu. Edhe pse arritën që të kthejnë pas dekretin e cili parashikonte faljen e zyrtarëve të lartë të dënuar për korrupsion, protestuesit shprehen se puna e tyre nuk ka përfunduar ende, pasi qeveria është mjaft e korruptuar. Në këto kushte, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit, i cili në një deklaratë tha se mesazhi i protestave është kuptuar, ndërkohë që u bëri thirrje qytetarëve të qetësohen. E kam kuptuar mesazhin që vjen nga protestat, prandaj mora edhe vendimin për të anuluar dekretin. Nga ana tjetër, personat që mbështesin qeverinë tonë kanë shprehur vullnetin që ne të vijojmë rrugën e qeverisjes së vendit. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithëve të qetësohen. Edhe pas tërheqjes së ligjit të debatueshëm, që dekriminalizon veprimet korruptive të zyrtarëve, rumunët nuk dorëzohen. Plot 500 mijë vetë dolën nëpër rrugë në mbarë vendin, të pakënaqur edhe nga varianti i rishikuar i ligjit, që do të kalohet për miratim në Parlament. Një pjesë e tyre përsërisnin thirrjet për largimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit Sorin Grindeanu. Protestat e ditëve të fundit në Rumani kanë qenë më të mëdhatë e organizuara ndonjëherë në vend, që nga përmbysja e komunizmit në vitin 1989. Pas takimit urgjent të ekzekutivit të dielën, Grindeanu deklaroi në televizion se nuk e dëshironte përçarjen e vendit dhe se do të tërhiqte projektligjin, ku parashikohej shfajësimi i politikanëve për shkelje me fondet që mbërrinin deri në shumën 47.800 dollarë. Për kritikët, një hap i tillë do të mundësonte lirimin e politikanëve të korruptuar e do të inkurajonte për më tepër zyrtarët të vidhnin ende nga fondet publike. Zemërimi i njerëzve është i qartë. “Uroj shumë që kjo qeveri të bjerë. Kjo nuk është ajo që ne duam, sepse janë zero në çdo gjë. Nuk ka asnjë lloj respekti për ne dhe nuk ka asnjë grimë dinjitet”, tha një protestues. Presidenti Klaus Johannis ishte një nga kritikët më të fortë të dekretit. Ai e quajti “ditë zie” momentin e njoftimit të projektligjit, e tha se deri në ditën e fundit në detyrë do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor. Presidenti rumun është kërcënuar disa herë me shkarkim nga posti prej krerëve të Partisë populiste Socialdemokrate dhe aleatëve të saj liberalë në koalicionin qeverisës.