Vazhdojnë trazirat në Brazil me dhjetëra të vrarë dhe të plagosur
https://parstoday.ir/sq/news/world-i44623-vazhdojnë_trazirat_në_brazil_me_dhjetëra_të_vrarë_dhe_të_plagosur
Zjarre, sulme fizike, ekzekutime dhe larje hesapesh. Rrugët dhe sheshet të boshatisura, dyqane, zyra dhe shkolla të mbyllura. Edhe spitalet janë të detyruara të punojnë nën masa të rrepta sigurie për t’i shpëtuar sulmeve.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 10, 2017 10:54 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë trazirat në Brazil me dhjetëra të vrarë dhe të plagosur

Zjarre, sulme fizike, ekzekutime dhe larje hesapesh. Rrugët dhe sheshet të boshatisura, dyqane, zyra dhe shkolla të mbyllura. Edhe spitalet janë të detyruara të punojnë nën masa të rrepta sigurie për t’i shpëtuar sulmeve.

Është kjo një pamje e ferrit që prej pesë ditësh ka përfshirë Vitorian, një qytet brazilian, kryeqendër e shtetit Espirito Santo, në kufirin jugor të Rios. Morgu i institutit të mjekësisë ligjore i ka dhomat-frigorifer të mbushura plot me kufoma, aq sa shumë të tjera kanë mbetur të braktisura rrugëve sepse askush nuk di ku t’i sistemojë. Deri më sot numërohen 85 të vrarë, shumë prej të cilëve djem të rinj, rreth 20-vjeçarë, të ekzekutuar me 4 plumba secili. Bëhet fjalë për një markë të bandave që enden nëpër qytet dhe zgjidhin sipas mënyrës së tyre një valë dhune që po infekton, në mënyrë alarmante, shumë rajone të Brazilit. Tre vite recesion po ndihen në shtetin latin, i përfshirë nga shkurtime të vendeve të punës, shkarkime, rroga të reduktuara dhe rritje të mohuara. Nuk ka më para. Arkat e shumë administratave kanë mbetur bosh dhe situata ka prekur edhe ata që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve. Policia ushtarake, së cilës i takon ruajtja e rendit publik, ka vendosur të mos dalë nga kazerma. Edhe pse me ligj, në cilësinë e ushtarakëve e kanë të detyruar të dalin, patrullat nuk kanë lëvizur nga vendi. Për rrjedhojë, qyteti ka mbetur i boshatisur, ndërsa aty ku ka njerëz janë vetëm bandat që po hakërrehen me njëra-tjetrën. Deri tani janë sulmuar 200 dyqane, 100 shtëpi dhe 3 qendra tregtare. Ndërsa 6 autobusë janë rrëmbyer dhe u është vënë flaka.