Protesta kundër Trump në Meksikë
Mijëra qytetarë meksikanë protestuan të dielën kundër presidentit amerikan, Donald Trump, për të kundërshtuar retorikën e tij anti-meksikane në lidhje me pagesat për siç ka thënë ai ‘ndërtimin e murit të bukur’.
"Meksika duhet të respektohet, Z. Trump," shkruan në flamurin gjigand të mbajtur nga protestuesit në Mexico City, të cilët tundnin flamuj meksikanë me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe të gjelbër, shkruan afp. Ata marshuan nëpër rrugë kryesore të kryeqytetit nën syrin e mijëra policëve. Një mur me kuti kartoni përpara ambasadës amerikane në Mexico City ishte shprehja më e qartë e asaj çfarë mendojnë meksikanët për presidencën “Trump”. Ngritja e murit në kufi me Meksikën ishte një prej zotimeve më të forta të fushatës së biznesmenit republikan, e tani që ai u vendos në krye të Shtëpisë së Bardhë, frika se ky premtim do të bëhet realitet nuk i lë më vend shpresës. Skeptikë ndaj Trumpit janë edhe amerikanët që jetojnë e punojnë në Meksikë. Ndasitë politike në Amerikë u shfaqën dhunshëm rrugëve të Uashingtonit kundër masave të Trump. Grupet e demonstruesve u shpërndanë nëpër qytet ku kanë përsëritur slogane kundër miliarderit të kthyer në politikan. Një pjesë e njerëzve mbanin pankarta ku shkruhej: “Trumpi nuk është President” dhe “Bëjini racistët të kenë frikë përsëri”.