Vizita e parë e sekretarit amerikan të mbrojtjes në Irak
James Mattis, sekretari amerikan i mbrojtjes më 20 shkurt shkoi për një vizitë në Irak.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, pas futjes së tij në Bagdad deklaroi se Amerika nuk synon naftën e Irakut. James Mattis, ka shkuar për një vizitë në Irak për tu takuar me funksionarët e këtij vendi rreth luftës kundër ISIS dhe operacionit për çlirimin e Mosulit. Vizita e sekretarit Mattis ashtu si paraardhësi i tij Ashton Karter u krye në kohën kur Iraku ka përjetuar zhvillime të rëndësishme. Ditë më parë nisi operacioni për çlirimin e qytetit Mosul me urdhër të Hejdar Ebadi kryeministër i Irakut. Kjo është faza e parë e operacionit për çlirimin e pjesës perëndimore të qytetit Mosul. James Mattis duke vizituar Bagdadin synon të tregojë se Amerika është një prej faktorëve kryesorë në operacionin për çlirimin e Mosulit dhe nga ana tjetër ai është munduar të përcjellë mesazhin se fitorja e ushtrisë irakiane kundër terroristëve të ISIS, nuk është e mundur pa mbështetjen e Amerikës. Më herët Ashton Karter sekretari amerikan i mbrojtjes në administratën Obama, vizitoi Irakun në kohën kur ushtria irakiane nisi operacionin për çlirimin e provincës Anbar dhe në vitin 2016 kur ushtria irakiane nisi operacionin për çlirimin e qytetit Mosul. Qëllimi i këtyre vizitave ishte që Amerika të kishte pjesë dhe rol në suksesin e forcave irakiane. Një çështje tjetër që shton rëndësinë e Irakut për Amerikën është edhe situata në Siri, sepse mund të thuhet se Amerika ka humbur bastionin e saj në krizën e Sirisë dhe ka pranuar se Siria është kthyer në një çështje që i përket Rusisë dhe Iranit. Amerika beson se operacionet kundër terrorizmit në Irak do të jenë të suksesshme. Për këtë arsye ajo mundohet ta shfrytëzojë Irakun si një rast për të ruajtur kredibilitetin e vet në luftën kundër terrorizmit. Vizita e James Mattis në Irak, gjithashtu ndjek të njëjtin qëllim. Një tjetër çështje rreth vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes në Irak është fakti se edhe pse James Mattis ka deklaruar se Amerika nuk synon naftën e Irakut, mirëpo Donald Trump presidenti amerikan kohë më parë në një fjalim të tij për punonjësit e CIA-s amerikane ka thënë: Nëse Amerika do të rrethonte dhe zotëronte fushat e naftës së Irakut, ISIS nuk do të ishte shfaqur dhe për këtë Amerika duhet të marrë nën kontroll naftën e Irakut. Për Amerikën nafta konsiderohet produkt strategjik dhe një prej arsyeve kryesore të përqendrimit të Amerikës në rajonin e Lindjes së Mesme është garantimi i dërgimit të energjisë së këtij rajoni në pjesë të tjera të botës mes tyre në Evropë dhe në Amerikë.