Corbyn nuk pranon të dorëhiqet
Megjithë humbjen e laburistëve në zgjedhjet afatmesme në dy zona që konsideroheshin fortesa të tyre, kreu i laburistëve anglezë Jeremy Corbyn deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen.
Partia Konservatore e kryeministres Theresa May arriti një fitore historike ndaj rivalëve laburistë në një zonë ku opozita dominonte që prej vitit 1983. Me fitoren në zonën elektorale në Kopeland, në Anglinë veriperëndimore, kjo fitore e konservatorëve bëhet më mbresëlënëse pasi është e rrallë për partitë britanike në pushtet që të marrin zonat në zgjedhje të tilla të parakohshme. Ngushëllimi i laburistëve të opozitës është ruajtja e fitores së tyre përballë kryetarit të partisë pro-Brexit, UKIP, në një zonë tradicionalisht laburiste në Sunderland, në verilindje të vendit. Zgjedhjet në këto dy zona u zhvilluan pasi deputetët laburistë vendosën të ikin nga Parlmenti për tu punësuar jashtë politikës. Rezultati elektoral ka ringritur pikëpyetjet për aftësinë drejtuese dhe inspirimin që shkakton në radhët e anëtarëve laburistë udhëheqësi i tyre Jeremy Corbyn. Analistët besojnë se nëse vazhdon ky nivel besimi në publik që reflektohet edhe në sondazhet e opinionit publik, ku laburistët janë shumë mbrapa konservatorëve, laburistët britanikë, nën drejtimin e Corbyn, janë duke shkuar drejt një humnere elektorale.