BE i shqetësuar nga Trump dhe populistët
Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani është takuar në Berlin me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Një takim i shkëlqyer u vlerësua ai, gjatë të cilit u arrit një “sintoni e plotë” mes të tjerash “për domosdoshmërinë e afrimit gjithnjë e më shumë të Europës me qytetarët e saj” për të ndalur hovin e partive populiste europiane të cilat janë frymëzuar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump. Kjo është konfirmuar për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, nga një burim europian. Presidenti i PE-së dhe kancelarja gjermane janë takuar për të folur mbi të ardhmen e Europës, në prag të 60-vjetorit të Traktatit të Romës, e kanë rakorduar së bashku nevojën për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve europiane dhe qytetarëve europianë. Linja të përbashkëta ka pasur edhe mbi politikën tregtare. Gjatë takimit është nënvizuar fakti sesa i rëndësishëm është “uniteti europian”, pasi vetëm së bashku mund të arrihen rezultate më të mira në lidhje me qasjen në tregje. Në takim është aluduar gjithashtu edhe për nevojën e krijimit të oportuniteteve të reja tregtare në Amerikën Latine dhe Meksikë. Sa i përket emigrantëve, kancelarja gjermane dhe presidenti i Parlamentit Europian kanë rënë dakord mbi urgjencën e një politike të veçantë për Afrikën. Duhet investuar më shumë në kontinentin afrikan, jo vetëm me burime financiare, por edhe përmes transferimit të njohurive dhe dijeve mbi industrinë dhe infrastrukturën. Menjëherë pas takimit me Merkelin, Tajani është takuar me presidentin e Republikës Federale Gjermane, Joachim Gauck, në Bellevue. Për analistët e raporteve transatlantike, të cilët mblidhen çdo vit në Mynih, ka pasur një lloj qetësimi për raportet amerikane ndaj NATO-s, sepse presidenti Trump ka sinjalizuar përmes zëvendësit të tij se qëndron mbrapa obligimeve të aleancës. Por pas kësaj fjalie nuk pati asgjë substanciale. Që SHBA duan të rrisin fuqishëm buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe se kjo pritet edhe nga partnerët, që refuzohet një marrëveshje atomike me Iranin dhe që nga Rusia pritet të respektohet marrëveshja e Minskut në konfliktin ukrainas - këto të gjitha janë ditur edhe para paraqitjes së zëvendëspresidentit ameirkan në Mynih. Më shumë nuk kanë folur as ministri i Mbrojtjes dhe i Jashtëm James Mattis dhe Rex Tillerson, gjatë qëndrimit të tyre këtë javë në Gjermani. Zyrtarisht thuhet se ata fillimisht duan të dëgjojnë mendimet. Ndërsa jozyrtarisht është e qartë: Ata e dinë se cili është pozicioni i tyre, por nuk e dinë se si do të duket politika e jashtme e presidentit të tyre. Që do të thotë: ata nuk e dinë fare se kush do të vendosë. Më së largu, pas Konferencës së Mynihut duket e qartë: ka ardhur koha për vendime! Jo vetëm nga presidenti amerikan, por edhe për vendimet e evropianëve, se si duan të ndërtojnë raportet e ardhshme dhe çfarë duan të bëjnë. Duhet të përcaktohet, nëse SHBA-ja e shohin sigurinë tek fuqia ushtarake, apo duan të ndjekin rrugën evropiane. Nëse duan bashkëpunim në vend të ndarjeve, forcimin e strukturave ushtarake, përmirësimin e institucioneve në vend të shpalljes si të vjetruara të tyre, evitimin e konflikteve në vend të angazhimeve ushtarake. Këto janë detyra urgjente të Bashkimit Evropian, ndonëse në këtë moment nuk ekziston ndonjë unitet i madh. Por këto janë detyra, zgjidhjen e të cilave e ka vet BE-ja në dorë. Investimet mund të shpaguhen, sepse krijohet një hapsirë e re veprimi dhe largohet ndjenja e mungesës së fuqisë. Por BE-ja me siguri që nuk do të marrë së shpejti nga vëllau i madh mbi vete çështjen e zgjidhjes së problemeve. Tani dhe as në një të ardhme të afërt.