Reagon Merkel pas arrestimit të gazetarit gjerman në Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i46096-reagon_merkel_pas_arrestimit_të_gazetarit_gjerman_në_turqi
Arrestimi i gazetarit të së përditshmes gjermanes “Die Welt” në Turqi ka bërë që Berlini zyrtar të reagojë i indinjuar ndaj qeverisë së Ankarasë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 02, 2017 03:10 Europe/Tirane
  • Reagon Merkel pas arrestimit të gazetarit gjerman në Turqi

Arrestimi i gazetarit të së përditshmes gjermanes “Die Welt” në Turqi ka bërë që Berlini zyrtar të reagojë i indinjuar ndaj qeverisë së Ankarasë.

Ka qenë vetë kancelarja Angela Merkel që ka deklaruar se qeveria e saj do të angazhohet që reporteri gjerman të lirohet sa më shpejt. “Ekzistenca e mediave të lira është pjesë e demokracisë dhe këtë askush nuk duhet ta vërë në dyshim, edhe kur nuk i shkon për shtat”, ka thënë Merkel. Gjithashtu, gruaja e hekurt e Europës ka nënvizuar se, liria e shprehjes dhe ajo e besimit fetar nuk duhet të kufizohen. “Gazetaria e pavarur duhet të ekzistojë, gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre dhe për këtë arsye mendja jonë është tek Deniz Yucel”, ka thënë Merkel. Gazetari u arrestua nga policia turke 14 ditë më parë për shkrime që nuk i kanë shkuar për shtat qeverisë turke dhe vetëm të martën një gjykatë lokale konfirmoi arrestimin. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel ka thirrur për sqarim ambasadorin turk në Berlin.