Parlamenti Evropian miraton rezolutën për regjimin e vizave për qytetarët amerikanë
Shtetasit amerikanë mund të detyrohen të udhëtojnë vetëm të pajisur me viza drejt shteteve anëtare të BE-së që nga fillimi i verës 2017.
Në Bruksel, eurodeputetët kanë votuar me shumicë absolute në seancë plenare, rezolutën drejtuar Komisionit Europian për vendosjen e përkohshme të vizave, fillimisht për një afat njëvjeçar për shtetasit amerikanë. Komisioni Europian ka dy muaj kohë që të bëjë ndryshimet e duhura ligjore dhe teknike për të detyruar pas kësaj amerikanët të aplikojnë për vizë në ambasadat e vendeve anëtare të BE-së. Votimi i sotëm në Bruksel është kundërpërgjigje ndaj vendimit të Uashingtonit për të mos hequr vizat për shtetasit nga Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Polonia dhe Rumania. Kjo procedurë është hapur që nga viti 2016, pas reagimit negativ nga autoritetet amerikane për të hequr vizat për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, e për të zbatuar kështu në praktike parimin e reciprocitetit. Vendosja e regjimit të vizave për shtetasit amerikanë do t’i sjellë BE-së një humbje prej 6.8 miliardë eurosh, humbjen e të paktën 140 mijë vendeve të punës, sidomos në industrinë e turizmit, dhe për pasojë një ulje me 22% të numrit të vizitave nga shtetasit amerikanë në vendet e BE-së. Në një deklaratë, Parlamenti Evropian tha se mekanizmi i reciprocitetit të vizave i kërkon Komisionit të BE-së që të miratojë një akt të deleguar, i cili do të pezullonte për 12 muaj lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e atyre vendeve që nuk respektojnë reciprocitetin, 24 muaj pas njoftimit. Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja , Japonia dhe Brunei nuk kanë zbatuar reciprocitetin e vizave, por Komisioni sërish nuk ka ndërmarrë asnjë njoftim ligjor. Vendosja e këtij regjimi mendohet se do të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike në Bashkimin evropian, e llogaritur në 6.8 miliardë euro, 140 mijë vende pune, sidomos në industrinë e turizmit. Marrëdhëniet midis BE dhe SHBA kanë filluar të zbehen që nga ardhja në presidencë e Donald Trump. Rasti më i fundit që ka shkaktuar përçarje midis bllokut evropian dhe amerikan ka qenë miratimi i urdhrit ekzekutiv të Donald Trump për ndalimin e udhëtimit të qytetarëve të shtatë vendeve myslimane. Angela Merkel ka kritikuar urdhrin ekzekutiv të Donald Trump për ndalimin e emigracionin nga disa vende me shumicë myslimane, duke thënë se është “e pajustifikueshme të vësh njerëzit për shkak të prejardhjes apo besimit, nën dyshime të përgjithshme kombëtare, për të luftuar terrorizmin. Edhe Shefja e diplomacisë evropiane, ka kritikuar vendimin e Donald Trump për bllokimin e futjes së refugjatëve në Amerikë. Federika Mogherini, në një fjalim të saj pasi kritikoi politikat e emigracionit të Donald Trump tha se BE kërkon vazhdimin e bashkëpunimit me Amerikën mirëpo politika e bllokimit të refugjatëve nuk është rrugëzgjidhje e këtij fenomeni. Sa i përket ndërtimit të murit ndarës me Meksikën, Mogherini tha se BE nuk është e të njëjtit mendim për ndërtimin e këtij muri dhe se BE kërkon më shumë bashkëpunim me partnerët.