Merkel reagon ndaj zemërimit të Turqisë
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se qeveria gjermane nuk ka pasur asnjë rol në anulimin e takimeve të mbështetësve të presidentit turk.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, të premten duke mohuar kritikat e Ankarasë kundër Berlinit në lidhje me anulimin e dy takimeve në Gjermani të përkrahësve të Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë , ka thënë se vendimi për anulimin e takimeve është marrë nga ana e guvernatorëve të dy qyteteve dhe qeveria nuk ka asnjë rol në këtë çështje. Qyteti jugperëndimor gjerman i Gaggenaut tërhoqi lejen për një aktivitet publik, ku duhej të fliste ministri turk Bekir Bozdag, duke cituar mungesën e hapësirës për parkim. Fjalimi i planifikuar për të enjten do të ishte pjesë e përpjekjeve për të siguruar mbështetje mes 1.5 milionë shtetasve turq në Gjermani, për një referendum që do të mbahet në muajin prill, lidhur me zgjerimin e fuqive presidenciale të Erdogan. Vendimi i dy qyteteve gjermane për të penguar fjalimin e dy ministrave turq për mbështetësit e presidentit Rexhep Taip Erdogan, ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë.