Reagime mbi pretendimet e Trump mbi përgjimet telefonike
Drejtori i Inteligjencës Kombëtare gjatë kohës së zgjedhjeve të SHBA ka mohuar që Donald Trump të jetë përgjuar gjatë fushatës elektorale.
Gjatë një prononcimi për NBC, James Clapper, tha se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë vendimi që lejonte monitorimin e presidentit Trump, në atë kohë kandidat i republikaneve. Trump ka akuzuar presidentin Barack Obama se ka urdhëruar përgjimin e tij në fazat e fundit të fushatës presidenciale gjatë kohës kur ai pretendonte kreun e Shtëpisë së Bardhë. Shtëpia e Bardhë i kërkoi të dielën Kongresit të hetojë nëse administrata Obama ka abuzuar me autoritetin e saj gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit të shkuar. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se Trump dhe zyrtarët e administratës nuk do të bëjnë asnjë koment mbi këtë çështje derisa Kongresi të përfundojë hetimet. Në këtë situatë, që demokratët mendojnë se Trump e ka krijuar vetëm për të hequr vëmendjen nga akuzat për lidhje të mundshme me Rusinë, kërkojnë prova. Lideri i demokratëve në senat Chuck Schumer i konsideroi akuzat e Trump false, jo të denja për zyrën e një Presidenti dhe i kërkoi atij ti mbështesë me prova. Pas hetimeve qe po kryhen në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, një tjetër çështje po kërkohet të ngrihet atje. Donald Trump i ka kërkuar Kongresit të hetojë nëse Barack Obama ka abuzuar me pushtetin e tij ekzekutiv, gjatë procesit zgjedhor. Kjo kërkesë e presidentit amerikan erdhi vetëm një ditë pasi u përfol se paraardhësi i tij i ka përgjuar telefonatat, por pavarësisht kësaj, pretendimet e Trump nuk mbështeten nga asnjë provë.