Urdhri i ri i Trump kundër emigrantëve
Donald Trump ka nënshkruar një version tjetër të urdhrit që ndalon për 90 ditë hyrjen e shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane në shtetet e bashkuara të Amerikës.
Nga lista është hequr Iraku, duke lënë në fuqi urdhrin tashmë për 6 vende si Irani, Libia, Somalia, Sudani ,Jemeni dhe Siria. Lajmi është bërë i ditur nga këshilltarja e presidentit amerikan Kellayne Conway, e cila konfirmoi se shtetasit e vendeve të përfshira në listë por që disponojnë leje qëndrimi nuk do të preken nga urdhri i ri. Fakti që ndryshimet do të deklarohen 10 ditë përpara se urdhri të hyjë në fuqi, pritet të evitojë skenat kaotike në aeroporte. Këshilltarja e Trump shpjegoi se vendimi për heqjen e Irakut vjen pas masave të përforcuara që kanë vënë autoritet irakiane në javët e fundit. Por ka edhe zëra që thonë se vendimi i marrë nga departamenti i shtetit dhe pentagoni është thjesht politik, pasi Bagdadi teknikisht është një vend aleat i shteteve të bashkuara. I menjëhershëm ka qenë reagimi i demokratëve të cilët, nëpërmjet kreut të demokratëve në Sebat Shuck Shumer e kanë quajtur një dekret anti amerikan. Vendimi i Trump për ndalimin e shtetasve nga shtatë vende myslimane shkaktoi kaos në aeroporte pasi nuk u lejuan as shtetasit me vizë të rregullt. Administrata Trump e mbrojti këtë vendim duke theksuar se është i nevojshëm në kuadër të sigurisë së SHBA ndaj sulmeve të mundshme terroriste. Urdhri i parë provokoi protesta masive në qytete të ndryshme të Amerikës.