Protestat në Greqi kundër masave shtrënguese
Athina është përfshirë nga protesta masive të cilat kanë përfunduar edhe në dhunë fizike mes protestuesve dhe policisë, e cila përdori gaz lotsjellës.
Më shumë se një mijë bujq shumica e të cilëve nga ishulli i Kretës, u mblodhën para Ministrisë së Zhvillimit të Bujqësisë dhe Ushqimit në sheshin Vathis në Athinë për të protestuar kundër masave shtrënguese. Bujqit të cilët sulmuan policët dhe autobusët me shkopinj dhe gurë, i dogjën kontenierët e mbeturinave përreth. Në ngjarjet nuk kishte të lënduar, por në ndërtesën e ministrisë dhe përreth kishte dëme materiale. Bujqit ankohen nga rritja e taksave dhe shpenzimeve për siguri sociale në kuadër të masave shtrënguese të cilat zbatohen për shkak të krizës. Po ashtu disa ditë më parë, Mijera njerëz mbushën rrugët e Athinës mbrëmë duke protestuar kundër masave të reja shtrënguese që po diskuton qeveria greke dhe huadhënësit europianë ne përpjekje për të konkluduar paketën e re të të shpëtimit e cila do të zhbllokonte fondet e reja për vendin. Reth 2 mijë persona, pjesë e unionit të punëtorëve i lidhur me Partinë Komunsite morën pjesë në demonstratën që u mbajt para hotelit ku ministrat e qeverisë dhe huadhënësit u takuan për të diskutuar reformat që Greqia duhet të ndërmarrë, përfshirë shkurtimet e të ardhurave dhe pensioneve. “Askush nuk mund të jetojë në 2017 me kushtet e jetesës së ngjashme me një epokë paslufte. Nuk është e drejtë të kemi fëmijë në shkollat tona që vuajnë nga urie. Nuk është e drejtë të ketë mensa falas për popullin sikur jemi në luftë apo nën pushtim”, thotë Elsa Stameli protestuese. Athina dhe shefat e misionit që përfaqësojnë vendet e eurozonës dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar rifilluan rishikimin e programit të reformave të vendit. Shqyrtimi është zvarritur për muaj, për shkak të dallimeve mbi reformat e punës dhe të energjisë dhe për shkak të një çarjeje midis Bashkimit Evropian dhe FMN-së mbi qëllimet fiskale të Greqisë dhe perspektivat e vitit të ardhshëm. Qeveria e majtë e udhëhequr nga Aleksis Tsipras, e cila ka rënë shumë në sondazhet e fundit, ka premtuar masa lehtësuese për të kompensuar ndikimin social të reformave të reja. Në një deklaratë për televizionin shtetëror ERT, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka përforcuar shqetësimet që ka shfaqur një ditë më parë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, kur ka deklaruar se në rajonin e Ballkanit tensionet e rrezikshme historike janë ende të ndezura. Sipas Koztias, në bisedën e bërë mes ministrave të Jashtëm të BE-së në lidhje me çështjen e emigracionit dhe mbi krizën në Ballkanin Perëndimor, është shprehur shqetësimi në lidhje me zhvillimet, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoni. Kjo, pasi shumë prej këtyre shteteve e perceptojnë BE-në vetëm si sponsor financiar dhe si një perspektivë pjesëmarrjeje në një qendër të pushtetit. “Kurse ne theksojmë se duhet të kuptohet që BE-ja është një sistem i vlerave dhe perceptimesh demokratike dhe se demokracia kërkon që dikush të ketë brenda vetes një kulturë, siç ne e konsiderojmë, të kompromisit dhe konsensusit”, ka thënë ai.