Vizita e Merkel në Amerikë
Presidenti amerikan sot ka pritur kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel.
Axhenda e tyre përfshin diskutime mbi forcimin e NATO-s, luftën ndaj grupit terrorist ISIS, si dhe zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës, çështje këto që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Takimi, i cili u shty nga e marta për shkak të stuhisë dimërore që preku SHBA-të, do të kulmojë me një konferencë të përbashkët për shtyp më vonë gjatë ditës. Trump dhe Merkel buzëqeshën përballë kamerave në Zyrën Ovale në nisje të takimit mes tyre, me presidentin që nxiti gazetarët të “dërgonin mbrapsht në Gjermani një foto të bukur”. Presidenti u tha më tej reporterëve të pranishëm se, bashkë me Merkelin do të diskutonin “shumë gjëra” në përballjen e tyre të parë gjatë presidencës së tij. Takimi kokë më kokë mund të jetë edhe një rinisje e marrëdhënieve të komplikuara nga retorika e Trumpit gjatë fushatës për t’u bërë president. Ai kaloi një pjesë të mirë të 2016-s duke kritikuar kancelaren, duke e akuzuar atë se e “rrënoi” Gjermaninë me lejimin e fluksit të refugjatëve nga Siria. Megjithatë, ai gjeti edhe mënyra për të shfaqur respektin e tij ndaj saj. Kur një stacion televiziv i kërkoi atij në shtator të thoshte një emër udhëheqësi botëror që e admironte vërtet, ai përmendi pikërisht Merkelin.