Amerika paralajmëron Korenë e Veriut
Në kohën kur Amerika me politikat e saj ushtarake ka shtuar akoma më shumë tensionet në gadishullin Korean, Rex Tillerson, sekretari amerikan i shtetit ditën e premte ka pretenduar se Koreja e Veriut mund të përballet me ndërhyrje ushtarake në rast se nuk zbaton angazhimet e saj në fushën bërthamore dhe raketore.
Ndërhyrja ushtarake kundër Koresë së Veriut është opsion në tavolinë. Deklarata e fortë është bërë nga sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut. Politika e “durimit strategjik” ka përfunduar tha ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po eksplorojnë mënyra të tjera diplomatike, ekonomike dhe ato të sigurisë. Tillerson gjithashtu ka mbrojtur edhe idenë e vendosjes së një sistemi amerikan mbrojtës në Korenë e Jugut, një veprim i cili ka zemëruar shumë Pekinin. Por Seuli dhe Uashingtoni argumentojnë se sistemi është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër veprimeve të Koresë së Veriut. Tillerson foli menjëherë pas vizitës në një zonë të demilitarizuar që ndan dy Koretë. Ai mbërriti në Korenë e Jugut pas një vizite në Japoni, ku tha se 20 vjet përpjekje për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambiciet e saj bërthamore kanë dështuar. Të shtunën Tillerson do të niset drejt kinës, ku sërish në fokus do të jetë Koreja e Veriut dhe përpjekjet e saj bërthamore. SHBA akuzojnë Kinën, aleatin kryesor të Koresë së Veriut, se nuk ka bërë mjaft për të frenuar ambiciet bërthamore te Phenianit. Por Pekini mbetet i kujdesshëm për çdo veprim që mund të destabiziojë regjimin e Koresë së Veriut dhe për pasojë të krijojë kaos në kufirin e saj. Në ditët e fundit ka pasur raportime të shumta për hakmarrje të dukshme ekonomike ose sanksione nga Pekini kundrejt Koresë së Jugut. Amerika ka një prani të gjerë ushtarake në Korenë e Jugut dhe në Japoni dhe në këtë mënyrë ajo është bërë shkak për shtimin e tensioneve mes Kinës dhe vendeve të Azisë juglindore ASEAN. Vizita e sekretarit amerikan të shtetit në Japoni dhe Korenë e Jugut tregon faktin se Amerika synon të shtojë presionet e saj ndaj Kinës e cila nga ana e saj ka deklaruar se do të hakmerret ndaj dislokimit të sistemit raketor amerikan në Korenë e jugut. Nga ana e saj Kina gjithmonë është mundua të mbajë politika të balancuar për të parandaluar tensionet dhe konfliktet me Amerikën dhe vendet e rajonit. Kina ka propozuar që kundrejt ndërprerjes së testimeve raketore nga Koreja e Veriut, Amerika dhe Koreja e Jugu tu japin fund manovrave të tyre ushtarake, por kjo është kundërshtuar nga Uashingtoni dhe Seuli.