Amerika do të vazhdojë mbështetjen e saj për NATO-n
https://parstoday.ir/sq/news/world-i47200-amerika_do_të_vazhdojë_mbështetjen_e_saj_për_nato_n
Një Amerikë më e fortë është në interes të të gjithë botës. Ky ishte mesazhi që përcolli presidenti amerikan Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 18, 2017 04:46 Europe/Tirane
  • Amerika do të vazhdojë mbështetjen e saj për NATO-n

Një Amerikë më e fortë është në interes të të gjithë botës. Ky ishte mesazhi që përcolli presidenti amerikan Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Pas takimit të parë ballë për ballë me “zonjën e hekurt” të Europës, numri një i Uashingtonit rikonfirmoi mbështetjen e fortë për NATO-n, por duke e vënë edhe një herë theksin te nevoja që të gjithë aleatët të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve. Nuk la pa përmendur edhe çështjen e emigracionit, për të cilën është përplasur jo pak herë në distancë me kancelaren gjermane. Për Trumpin, emigracioni është një privilegj, jo një e drejtë. “Emigracioni është një privilegj, jo një e drejtë. Ne duhet të mbrojmë qytetarët tanë nga kërcënimi terrorist”, tha Donald Trump. Një deklaratë kjo, me të cilën Merkel nuk duket të jetë plotësisht dakord. “Duhet t’i mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, por në të njëjtën kohë të mos lëmë në baltë ata që duan t’i shpëtojnë luftrave dhe varfërisë”, tha Merkel. Tregtia është një tjetër çështje e nxehtë, me Trumpin që mbështet politikat proteksioniste e që me planet e tij për taksimin e importeve nga jashtë ka ngjallur kritikat për një izolim të mundshëm të vendit. “Favorizoj një tregti të drejtë për të gjithë, por nuk kërkoj  izolimin e vendit”, pohoi Trump, që këmbënguli se Shtetet e Bashkuara ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë vitet e fundit.