Londra mbetet e alarmuar
https://parstoday.ir/sq/news/world-i47452-londra_mbetet_e_alarmuar
Pesë persona, përfshirë një polic dhe atë që besohet të jetë agresori, u vranë gjatë një sulmi terrorist në parlamentin britanik.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 23, 2017 01:11 Europe/Tirane
  • Londra mbetet e alarmuar

Pesë persona, përfshirë një polic dhe atë që besohet të jetë agresori, u vranë gjatë një sulmi terrorist në parlamentin britanik.

I armatosur, me një makinë dhe një thikë, agresori ende i paidentifikuar sulmoi qendrën e pushtetit britanik, duke ngjallur panik. Sulmi i përgjakshëm nisi në urën Ëestminster, ku agresori, një mesoburrë me tipare aziatike, goditi me makinë disa kalimtarë duke vrarë dy prej tyre, ndërsa të tjerë kanë pësuar plagë të rënda. Pak çaste më vonë, agresori përplasi makinën e tij në murin që rrethon parlamentin dhe hyri me vrap përmes një prej portave të oborrit ku sulmoi me thikë një oficer policie. Agresori u qëllua dhe u eliminua fizikisht nga agjentët e tjerë të policisë, ndërsa oficeri që ai plagosi ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.  Autoritetet britanike konfirmuan se të paktën 40 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmit me makinë, mes të cilëve tre oficerë policie.  Pas sulmit, parlamenti britanik u izolua plotësisht, por mësohet se të enjten puna do të nisë si normalisht. Mediat raportojnë se kryeministrja britanike Theresa May gjendej në parlament në momentin e sulmit dhe u largua që aty me shpejtësi nga oficerë civilë, me një makinë pa shenja dalluese.  Dëshmitarë okularë të ngjarjes treguan tmerrin e përjetuar gjatë sulmit, që pavarësisht se zgjati vetëm pak minuta, tronditi seriozisht ndjesinë e sigurisë në Londër. Autoritetet londineze, ndërkohë lajmëruan se kanë shtuar praninë policore në të gjithë kryeqytetin, ku hetimet nuk po zhvillohen vetëm pranë parlamentit por edhe në zona të tjera.  Incidenti në parlamentin britanik duket si lloji i sulmit që terroristët e quajtur “ujqit e vetmuar” preferojnë, pikërisht një agresor i vetmuar, me makinë dhe me armë zjarri apo të ftohta, lloji më i vështirë për t’u ndalur.  Kjo do të thotë se sulme të tilla dhe viktima në qytete të tjera evropiane, janë të paevitueshme. Policia britanike po e heton sulmin si një akt terrorist. Ndërkohë, përkrahësit e grupit terrorist ISIS nëpër rrjetet sociale kanë publikuar një poster ku shkruhet: “Së shpejti... lufta jonë në atdheun tuaj nuk ka filluar ende”. Zakonisht, grupi terrorist ISIS merr përgjegjësinë e të tilla sulmeve me qëllim që të zgjerojë ndikimin e kërcënimeve të tij dhe të mbulojë disfatat e rënda në Siri dhe Irak. Ekziston edhe një tjetër skenar. Qindra terroristë, të cilët para syve neglizhentë të organeve britanike të sigurisë, shkuan nga Europa në Siri për të përmbysur qeverinë e presidentit sirian Bashar Asad, tashmë po përballen me vështirësi të shumta në Siri dhe Irak dhe po kthehen në Europë. Këta terroristë të trajnuar përbëjnë një rrezik eminent për vendet europiane. Padyshim, sulmi i djeshëm në Londër do të shfrytëzohet nga qarqet djathtiste dhe islamofobe për të kufizuar edhe më shumë të drejtat e muslimanëve në vendet europiane, ndërsa i shpejtë ishte edhe reagimi i presidentit amerikan Donald Trump, i cili sulmin në Londër e konsideroi si dëshmi e drejtësisë së vendimit të tij për ndalimin e hyrjes së emigrantëve muslimanë në territorin e SHBA.