Protestuesit djegin Parlamentin
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48068-protestuesit_djegin_parlamentin
Demonstruesit në Paraguai i kanë vënë flakën godinës së parlamentit, gjatë protestave të dhunshme të organizuara për kundërshtimin e një projektligji që mund të heqë limitin e mandateve për një president.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 01, 2017 14:56 Europe/Tirane
  • Protestuesit djegin Parlamentin

Demonstruesit në Paraguai i kanë vënë flakën godinës së parlamentit, gjatë protestave të dhunshme të organizuara për kundërshtimin e një projektligji që mund të heqë limitin e mandateve për një president.

Sipas kushtetutës së vitit 1992, prezantuar pas diktaturës, kreu i shtetit mund të shërbejë vetëm për një mandat 5-vjeçar. Por presidenti aktual Horacio Cartes po përpiqet të heqë këtë pengesë dhe të rikandidojë për presidencën. Protestuesit u fotografuan duke thyer xhamat e godinës së kongresit në kryeqytetin e vendit dhe duke i vënë flakën ambienteve të brendshme. Ata gjithashtu “bastisën” zyrat e personave të cilët kanë mbështetur këtë projektligj. Një aktivist është vrarë nga një goditje në kokë, për të cilën opozita akuzon forcat policore. Këta të fundit kanë përdorur plumba gome e topa uji për të shpërndarë protestuesit. Rreth 30 persona raportohen të plagosur, përfshi këtu edhe 3 ligjbërës e një senator. Në një deklaratë lëshuar në Twitter, presidenti Cartes bëri thirrje për qetësimin e situatës. “Demokracia nuk mbrohet me dhunë dhe të jeni të sigurtë se kjo qeveri do të vazhdojë të bëjë përpjekjet më të mira në ruajtjen e rregullit në republikë,” shkruante presidenti. Projektligji i përfolur duhet të aprovohet nga dhoma tjetër e parlamentit – dhoma e deputetëve – ku partia e presidentit Cartes ka edhe shumicën. Kundërshtarët thonë se projektligji do të dobësojë institucionet demokratike të vendit, ndërkohë që mandati aktual i Cartes përfundon në 2018.