Siria helmon marrëdhëniet SHBA-Rusi
Pavarësisht dëshirës për të krijuar ura lidhëse, Siria po tregon se mes presidentit amerikan dhe atij rus ekziston një hendek i pakapërcyeshëm.
Pikërisht në kohën kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson po takohej në Moskë me ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, Donald Trump tha se Rusia po mbështeste një bishë, duke aluduar me presidentin sirian Bashar Asad. Duke folur për rrjetin Fox Business, numri një i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur zemërimin e tij për sulmin kimik në Siri, që la të vdekur 89 persona. E megjithatë, presidenti amerikan u kujdes të theksonte se Amerika nuk do të ndërhynte më tej në Siri. Të ashpra kanë qenë edhe komentet e presidentit Putin. "Ku është prova se trupat siriane kanë përdorur armë kimike. Nuk ekziston. Por ajo që duket shumë qartë është se SHBA shkeli ligjin ndërkombëtar dhe mund të them se niveli i besimit, veçanërisht në spektrin ushtarak është përkeqësuar", tha presidenti rus. Megjithatë Putin vendosi të takojë Tillersonin, pasi ky i fundit zhvilloi bisedime me Lavrov gjatë vizitës në Moskë. Pas takimeve, Sekretari amerikan i Shtetit tha se lidhjet me Rusinë janë në pikën më të ulët e duhet të përmirësohen.