Vazhdon kriza e mosbesimit mes Moskës dhe Uashingtonit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i48870-vazhdon_kriza_e_mosbesimit_mes_moskës_dhe_uashingtonit
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë konfirmuar edhe njëherë qëndrimet tyre ekstremisht të kundërta për situatën në Siri, ndërsa Presidenti Trump nuk është pajtuar me mbështetjen që ka treguar Presidentin Putin për presidentin sirian Bashar Asad, ndërsa e ka quajtur liderin aktual sirian një ‘bishë’.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Prill 13, 2017 02:56 Europe/Tirane
  • Vazhdon kriza e mosbesimit mes Moskës dhe Uashingtonit

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë konfirmuar edhe njëherë qëndrimet tyre ekstremisht të kundërta për situatën në Siri, ndërsa Presidenti Trump nuk është pajtuar me mbështetjen që ka treguar Presidentin Putin për presidentin sirian Bashar Asad, ndërsa e ka quajtur liderin aktual sirian një ‘bishë’.

Sipas Trump kjo mbështetje nuk është një gjë e mirë as për Rusinë dhe as për njerëzimin. E menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e Putinit, i cili u shpreh se që kur Trump ka ardhur në pushtet, marrëdhëniet Rusi-SHBA janë përkeqësuar. Lideri i Kremlinit është shprehur se nga momenti që Donald Trump mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur gjithnjë e duke u përkeqësuar. “Ndonëse kishim shpresë për të forcuar besimin e ndërsjelltë me qëllim që të komunikonim më shumë për të diskutuar çështje të ndryshme, marrëdhëniet tona jo vetëm që nuk janë përmirësuar, por kanë rënë në një nivel më të ulët”, u shpreh Presidenti Vladimir Putin. "Ku është prova se trupat siriane kanë përdorur armë kimike. Nuk ekziston. Por ajo që duket shumë qartë është se SHBA shkeli ligjin ndërkombëtar dhe mund të them se niveli i besimit, veçanërisht në spektrin ushtarak është përkeqësuar", tha presidenti rus. Lideri rus deklaroi se mangësitë më të mëdha të bashkëpunimit vërehen në fushën ushtarake. Këto deklarata të njëpasnjëshme, kanë konfirmuar edhe njëherë se gjetja e linjave të përbashkëta mes Moskës dhe Uashingtonit vijon të mbetet një mision i vështirë. Uashingtoni ia hedh fajin për sulmin kimik presidentit sirian Bashar Asad, aleat i Rusisë, ndërsa Moska thotë se përgjegjës janë kryengritësit sirianë. Mosmarrëveshjet mes dy shteteve u dukën qartë edhe gjatë vizitës në Moskë të sekretarit të DASH, Rex Tillerson. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të mërkurën të punojnë së bashku për një hetim ndërkombëtar rreth një sulmi sirian me armë kimike javën e kaluar, i cili u bë shkak për kundërpërgjigjen amerikane me raketa. Pas një ditë bisedimesh në Moskë me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, tha se dy ish-armiqtë e Luftës së Ftohtë ranë dakord për nevojën e një hetimi të OKB-së rreth ngjarjeve të 4 prillit në veri të Sirisë. Në konferencën e mbajtur për mediat pas takimit, Tillerson u shpreh se niveli i marrëdhënieve mbetet mjaft i ulët. Kryediplomati amerikan e bëri të qartë se ShBA nuk do të ndryshojë qëndrim për Asadin, ndërsa kërkoi edhe zbatimin e marrëveshjes së Minskut për Ukrainën. Takimi Putin-Tillerson u konfirmua zyrtarisht vetëm në minutën e fundit, pas shumë ditë spekulimesh nëse presidenti rus do ta priste apo jo Sekretarin amerikan të Shtetit. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Moska do të vijojë të mbetet një mbështetës i përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit, por kërkoi që bombardimet ajrore amerikane kundër Sirisë të mos përsëriten. Ai shtoi se palët kanë qëndrime ekstremisht të kundërta, por pavarësisht kësaj, Moska do të vijojë të mbetet e hapur për dialog. Ndërkohë, vendimi i Putinit për të pritur Sekretarin Tillerson sinjalizonte synimin e Moskës për të ruajtur komunikimin me SHBA, megjithë tonet gjithnjë e më të larta të akuzave që dy vendet i kanë drejtuar njëri-tjetrit. Pavarësisht dëshirës për të krijuar ura lidhëse, Siria po tregon se mes SHBA dhe Rusisë ekziston një hendek i pakapërcyeshëm.