Rezultati i referendumit në Turqi
Presidenti turk, Recep Taip Erdogan ka shënuar fitore në referendumin e të dielës, që kishte si qëllim t’i jepte atij më shumë fuqi, por fitorja ka qenë më e hidhur nga sa ishte menduar.
Ndërsa ka fituar në pjesën qendrore të Turqisë, ai ka humbur në qytetet e mëdha, mes të cilëve në kryeqytetin Ankara, në Stamboll, Izmir etj. Kryeministri turk Binali Jildirim ka shpallur fitoren para mijëra mbështetësve të mbledhur para zyrave të partisë Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara, ndërkohë që presidenti Erdogan, i është drejtuar mbështetësve nga një tribunë në Stamboll. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, rezultatet tregojnë se 51.34 për qind e turqve janë pro më shumë fuqive për presidentin dhe 48.66 për qind, janë kundër. Ndryshimet kushtetuese që ishin në lojë në referendum, përbëjnë paketën më të madhe të ndryshimeve kushtetuese, që kur Turqia u bë Republikë thuajse një shekull më parë. Erdogan do të mund të emërojë ministrat, të lëshojë dekrete, të përzgjedhë gjykatësit dhe të shpërndajë parlamentin. Sistemi i ri anashkalon rolin e kryeministrit dhe përqendron pushtetin në duart e presidentit.