Vazhdon paqja e ftohtë në marrëdhëniet Irak-Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49748-vazhdon_paqja_e_ftohtë_në_marrëdhëniet_irak_turqi
Me vazhdimin e politikave ndërhyrëse të Erdoganit në punët e brendshme të Irakut, paqja e ftohtë vazhdon të mbretërojë në marrëdhëniet Bagdad-Ankara.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 27, 2017 03:20 Europe/Tirane
  • Vazhdon paqja e ftohtë në marrëdhëniet Irak-Turqi

Me vazhdimin e politikave ndërhyrëse të Erdoganit në punët e brendshme të Irakut, paqja e ftohtë vazhdon të mbretërojë në marrëdhëniet Bagdad-Ankara.

Funksionarët irakianë si kryeministri Heidar Ebadi dhe zëdhënësi i qeverisë irakiane Saad Al Hadithi, dënuan sulmet ajrore të Turqisë në rajonet e Kurdistanit të Irakut dhe këto sulme i quajtën “shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe e sovranitetit të Irakut. Shkaku kryesor i ftohjes në marrëdhëniet mes Irakut dhe Turqisë duhet kërkuar tek politikat ndërhyrëse të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili vazhdon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Irakut me pretekstin e luftës kundër bazave të PKK në veri të Irakut si dhe në kuadër të luftës kundër ISIS. Është fakt se Ankaraja ka luajtur një rol të rëndësishëm në agresionin e grupit terrorist ISIS kundër Irakut, ndërsa Turqia ka dislokuar qindra trupa në veri të Irakut me pretekstin e luftës kundër ISIS, por forcat turke nuk kanë kryer asnjë sulm kundër terroristëve të ISIS në Mosul. Gjithashtu, akuzat e presidentit turk ndaj forcave vullnetare irakiane Hashd al Sha’abi, të cilat po luajnë rol kryesor në çlirimin e Mosulit, shkaktuan një luftë verbale mes Erdoganit dhe kryeministrit irakian Heidar Ebadi. Javën e kaluar, Erdogan e quajti Hash dal Sha’abin “grup terrorist”, në një kohë që me vendim të Parlamentit të Irakut formacioni i forcave vullnetare irakiane Hashd al Sha’abi është pjesë e forcave të armatosur të Irakut nën komandën e kryeministrit irakian. Përveç kësaj, gjatë viteve të fundit qeveria turke ka shfrytëzuar pretekstin e militantëve të PKK për të kryer sulme ushtarake në veri të Irakut. Më 24 Prill, ushtria turke sulmoi pozicionet e PKK në rajonin Sinxhar në veri të Irakut duke vrarë të paktën 5 pjesëtarë të forcave kurdë Pishmerga dhe një polic irakian. Politikat e qeverisë së Erdoganit dëshmojnë se ai po përpiqet të krijojë një pushtet autoritar në Turqi, ndërsa nuk beson në politikën e fqinjësisë së mirë me Irakun dhe Sirinë duke ushqyer ambiciet ekspansioniste turke në këto dy vende të prekura nga krizat.