SHBA shton presionin ndaj Koresë së Veriut
SHBA do të shtojë sanksionet mbi Korenë e Veriut dhe do të rritë masat diplomatike që synojnë të bëjnë presion ndaj vendit për t'i dhënë fund programeve të saj bërthamore dhe raketore.
Strategjia e presidentit Donald Trump u njoftua pas një takimi të posaçëm me të gjithë 100 senatorët amerikanë. Më parë, komandanti i lartë i forcave të SHBA në Paqësor mbrojti vendosjen e një sistemi të avancuar të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut. Tensionet janë ngritur mes frikës se Veriu po planifikon teste të reja të armëve. "Shtetet e Bashkuara kërkojnë stabilitet dhe denunuklearizim paqësor të gadishullit Korean," tha një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Drejtori i Shërbimeve Kombëtare të Inteligjencës Dan Coats. Ushtria amerikane ka nisur instalimin e një sistemi mbrojtës anti-raketë në një zonë të Koresë së Jugut, në një kohë kur tensionet me Veriun fqinj janë më të larta se kurrë. Sistemi “THAAD” është i projektuar për t’u mbrojtur nga kërcënimet që mund të vijnë nga ambicjet raketore të Penianit. Qindra banorë të zonës protestuan teksa kamionët me pajisjet e sistemit mbërrinin. Nga ana tjetër, Kina deklaron se “THAAD” do të destabilizojë sigurinë në rajon. Këtë qëndrim kritik ka mbajtur edhe Rusia. Sistemi raketor “THAAD”, Terminal High-Altitude Area Defense, është i projektuar të lokalizojë dhe shkatërrojë raketa balistike me rreze të shkurtër e të mesme veprimi në fazën e fundit të fluturimit të tyre.