Koreja e Jugut e gatshme për bisedime me Veriun/Uashingtoni ul tonet kërcënuese
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut deklaroi se Seuli është i gatshëm për bisedime me Phenianin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Cho June-hyuck, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, deklaroi të enjten se nëse Pheniani është i sinqertë në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, Seuli është i gatshëm për bisedime direkte dypalëshe. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensioni në Gadishullin Korean ka arritur kulmin dhe armët bërthamore të SHBA dhe Koresë së Veriut janë gati për lëshim. Duket se qëndrimi i palëkundur i shtetit komunist ka detyruar edhe Uashingtonin të ndryshojë qëndrim. Zyrtarë të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara u thanë senatorëve amerikanë se qëllim i tyre është të nxisin Korenë e Veriut që të çmontojë programet e saj bërthamore dhe raketore, përmes sanksioneve më të fuqishme ndërkombëtare dhe presionit diplomatik. Zyrtarët e Shtëpisë së bardhë u thanë ligjvënësve të Senatit se administrata mbetet e hapur për negociata me Korenë Veriore duke forcuar sanksionet ekonomike dhe duke ndërmarrë masa diplomatike me aleatët dhe partnerët rajonalë.