Vriten dy ushtarë amerikanë në Afganistan
Dy ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve kundër një grupi militant të ndërlidhur me ISIS-in në provincën lindore Nangarhar në Afganistan, ka njoftuar ushtria amerikane.
Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha sot se ushtarët janë vrarë gjatë një operacioni të djeshëm kundër grupit “ISIS Khorasan”, që është i ndërlidhur me grupin terrorist ISIS, që operon në Afganistan dhe Pakistan. Më 13 prill, ushtria e Shteteve të Bashkuara e ka hedhur bombën më të fuqishme joatomike, që ndonjëherë është përdorur në luftë, duke i vrarë 94 militantë, në atë që konsiderohej se ishte qendra madhore komanduese militante në provincën Nagnarhar në Afganistan. Pentagoni tha se dy ushtarët amerikanë janë vrarë gjatë një ndërhyrjeje të përbashkët me forcat qeveritare afgane.