Paralajmërimi i Merkel për Brexit-in
https://parstoday.ir/sq/news/world-i49802-paralajmërimi_i_merkel_për_brexit_in
“Britania nuk duhet të ketë iluzione për lëshime nga ana e Bashkimit Europian”. Ka qenë mjaft e ashpër deklarata e Angela Merkelit në “Bundestag”-un gjerman lidhur me qëndrimin e Berlinit ndaj “Brexit”-it.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 28, 2017 03:49 Europe/Tirane
  • Paralajmërimi i Merkel për Brexit-in

“Britania nuk duhet të ketë iluzione për lëshime nga ana e Bashkimit Europian”. Ka qenë mjaft e ashpër deklarata e Angela Merkelit në “Bundestag”-un gjerman lidhur me qëndrimin e Berlinit ndaj “Brexit”-it.

Mesazhi në fakt u drejtohej njëkohësisht edhe anëtarëve të tjerë të bllokut. Kryetarja e ekzekutivit gjerman e paralajmëroi Londrën të mos ketë iluzione e të mos presë një marrëveshje privilegjuese. “Një shtet i tretë nuk mund të shijojë të njëjtat avantazhe, ose të pozicionohet më mirë sesa një vend anëtar i BE-së. Unë kam ndjesinë se disa njerëz në Britani kanë iluzione në këtë drejtim. Por janë duke e humbur kohën kot”, tha Angela Merkel. Në fjalën e mbajtur pak përpara takimit të Këshillit Europian mbi “Brexit”-in, këtë fundjavë, Merkel shtoi se Britania e Madhe duhet të sqarojë raportin e saj me Bashkimin Europian, e vetëm pas kësaj do të mund të kalohet te negociatat. Mes çështjeve që presin shpjegim është edhe ajo financiare. “BE-ja, - tha kancelarja, - do t’i drejtojë bisedimet në mënyrë të ndershme e konstruktive dhe pret që Londra të bëjë të njëjtën gjë”. Ajo shtoi se Gjermania dhe BE-ja mbeten për çdo rast të interesuara për një Mbretëri të Bashkuar të fortë e në mirëqenie, duke kujtuar këtu interesat e përbashkëta jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Laburistët në Britani deklarojnë se do ta “grisin” planin e kryeministres May për realizimin e “Brexit” dhe se në mënyrë të njëanshme do të garantojnë të drejtat e qytetarëve të BE-së nëse vijnë në pushtet në zgjedhjet e parakohshme. Ministri hije për Brexit, siç njihet ndryshe dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Keir Starmer deklaroi se laburistët do të insistojnë për një marrëveshje ndryshe, që i jep prioritet vendeve të punës dhe të drejtave të punëtorëve.  Gjithashtu, ata do të kërkojnë një ujdi për marrëveshjet e periudhës tranzitore, për të lehtësuar largimin e Britanisë në vitin 2019. Nga ana e tyre, konservatorët deklarojnë se ata kishin një plan të qartë për daljen nga Unioni.  Në prag të vizitës në Uells, që do të shënojë dhe hapjen e fushatës elektorale, kryeministrja May tha se vota për Brexit duhet të kishte qenë një “thirrje për zgjim për një gjeneratë politikanësh që i kanë marrë qytetarët për të mirëqënë për shumë kohë, por që ndërkohë partitë e tjera kishin mbyllur dyert”.  Konservatorët shpresojnë t’i rrëmbejnë laburistëve ulëset në Parlament më 8 qershor, në ato zona që votuan për largimin nga BE, përfshirë këtu Midlends, si dhe ato në veri-lindje e veri-perëndim të Anglisë dhe përtej Uellsit. Në referendumin e vitit të kaluar, laburistët votuan për qëndrimin në Union.