Britania e Madhe shpërndan parlamentin
https://parstoday.ir/sq/news/world-i50256-britania_e_madhe_shpërndan_parlamentin
Parlamenti Britanisë së Madhe u shpërnda sot pas vendimit të Theresa May për zgjedhje të parakohshme në qershor të këtij viti.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 04, 2017 15:35 Europe/Tirane
  • Britania e Madhe shpërndan parlamentin

Parlamenti Britanisë së Madhe u shpërnda sot pas vendimit të Theresa May për zgjedhje të parakohshme në qershor të këtij viti.

Sipas agjencisë së lajmeve IRIB, me shpërndarjen e parlamentit do të fillojnë garat e partive politike dhe dalja e Britanisë nga BE konsiderohet një nga sfidat më të mëdha të këtij vendi që nga Lufta e Dytë Botërore. Ligjvënësit britanikë kanë miratuar planin e kryeministres, Theresa May, që zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të mbahen më 8 qershor. Parlamenti britanik ka votuar pro mocionit të May, për zgjedhje të parakohshme. Nga 650 ligjvënës, 522 kanë votuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Para votimit, May u tha ligjvënësve se zgjedhjet e parakohshme do t’i japin Britanisë “siguri dhe stabilitet”, teksa Londra do të negociojë me Brukselin për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. “Besoj se në këtë moment me rëndësi të madhe kombëtare, duhet të ketë uniteti në Westminister dhe jo ndarje”, ka thënë May. Sot, Ekzekutivi i Bashkimit Europian hodhi poshtë si “manovra elektorale”, komentet e forta të Theresa May se Brukseli po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet britanike. Në një konference për shtyp, zëdhënësi i shefit të Komisionit Europian, Margaritis Schinas tha se vendet e BE nuk janë naive. Ai la të kuptohet se, Komisioni dhe vendet anëtare nuk po i kushtojnë rëndësi akuzave të kryeministres britanike. “Njerëzit emocionohen kur ka zgjedhje, ndërsa ato britaniket janë përqendruar kryesisht rreth ‘Brexit’. Këtu në Bruksel jemi mjaft të zënë dhe kemi mjaft gjëra të tjera për të bërë”, deklaroi Schinas. Në një koment mjaft ironik, ai shtoi se koha e kësaj jave mbaroi, duke iu referuar një deklarate të bërë nga Martin Selmayr, shefi i stafit të presidentit të KE-së, i cili tha se Komisioni do të mendohet vetëm 30 minuta në javë për çështjet e “Brexit”. Komentet e Schinas dhe natyrisht Komisionit, ishin një reagim ndaj deklaratës së ashpër të një dite më parë nga Theresa May, e cila tha se forca brenda BE-së po përpiqeshin të ndërhynin në zgjedhjet e përgjithshme britanike. Sipas kryeministres britanike, veç ndikimin në zgjedhje, ka njerëz brenda BE-së që duan dështimin e negociatave për “Brexit”. Ndwrkaq, Laburistët në Britani deklarojnë se do ta “grisin” planin e kryeministres May për realizimin e “Brexit” dhe se në mënyrë të njëanshme do të garantojnë të drejtat e qytetarëve të BE-së nëse vijnë në pushtet në zgjedhjet e parakohshme. Ministri hije për Brexit, siç njihet ndryshe dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Keir Starmer deklaroi se laburistët do të insistojnë për një marrëveshje ndryshe, që i jep prioritet vendeve të punës dhe të drejtave të punëtorëve.  Gjithashtu, ata do të kërkojnë një ujdi për marrëveshjet e periudhës tranzitore, për të lehtësuar largimin e Britanisë në vitin 2019. Nga ana e tyre, konservatorët deklarojnë se ata kishin një plan të qartë për daljen nga Unioni.