ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Manchester
Terrorizmi goditi sërish në mënyrën e tij më mizore, me një çmenduri të shtyrë nga dëshira për të vrarë sa më shumë perëndimorë, e në shënjestër vuri të rinjtë e mbledhur në koncertin e Ariana Grande në Manchester, mbrëmjen e së hënës.
Mes 22 viktimave të shpërthimit të fuqishëm, që tronditi qytetin britanik, kishte edhe fëmijë. Tashmë nuk ka dyshime se sulmi, që këputi në mes shumë jetë të reja e plagosi 59 persona, ka sfond terrorist. “Ky po trajtohet si incident terrorist. Besojmë se sulmi është kryer nga një person, i i cili mund ta konfirmoj se vdiq në vendngjarje. Prioriteti ynë tani është të përcaktojmë nëse ka vepruar i vetëm, apo ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë”, tha Ian Hopkins, shef policie në Manchester. Nga “Doëning Street”, kryeministrja Theresa May deklaroi se zyrtarët e sigurisë mendojnë se e njohin identitetin e kamikazit dhe se po përpiqen të shohin nëse ka bashkëpunëtorë. “Ky është një prej akteve më të rënda terroriste që kemi përjetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti ra viktimë e një veprimi të pashpirt”, tha Theresa May. ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, me një deklaratë të lëshuar në aplikacionin e mesazheve “Telegram”. Përkrahësit e ISIS-it kishin nisur, ndërkohë, të festonin në rrjetet sociale. Shënjestra e sulmit u bë “Manchester Arena”, vendi ku sapo ishte mbyllur koncerti i këngëtares së “Pop”-it. Një pjesë e viktimave janë vajza, adhuruese të 23-vjeçares amerikane.