Amerika dhe Japonia shtojnë sanksionet ndaj Korese Veriore
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se liderët e SHBA dhe Japonisë në kuadër të takimit të G7 në Sicili, kanë rënë dakord për shtimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri japonez Shinzo Abe deklaruan se Uashingtoni dhe Tokio do të bashkëpunojnë për shtimin e sanksioneve që synojnë ndaljen e programeve bërthamore dhe raketore të Phenianit. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot se Koreja Veriore, që aktualisht ka kryer një seri të testeve raketore, është “problem i madh” në agjendën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. “Është shumë në mendjet tona…është problem i madh, është problem botëror dhe do të zgjidhet. Në një pikë ai do të zgjidhet. Ju mund të vini bast në këtë”, tha sot Trump në Sicili të Italisë, ku merr pjesë në samitin e Grupit të 7 vendeve të industrializuara. Programet raketore të Koresë Veriore janë parë si sfidë madhore e sigurisë për administratën Trump. Presidenti amerikan ka shprehur përkushtim për ta parandaluar këtë vend që të jetë i aftë t’i godasë Shtetet e Bashkuara me raketë atomike. Ekspertët perëndimor thonë se Pheniani do të mund ta arrinte prodhimin e raketave me kapacitet të tillë pas vitit 2020.