Partia e May mund të humbasë shumicën në Parlament
https://parstoday.ir/sq/news/world-i52178-partia_e_may_mund_të_humbasë_shumicën_në_parlament
Kryeministrja britanike Theresa May bëri sot fushatë në Anglinë jugperëndimore, ndërkohë që sondazhet e fundit tregojnë se Partia e saj Konservatore mund të humbasë shumicën në parlament.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 31, 2017 15:46 Europe/Tirane
  • Partia e May mund të humbasë shumicën në Parlament

Kryeministrja britanike Theresa May bëri sot fushatë në Anglinë jugperëndimore, ndërkohë që sondazhet e fundit tregojnë se Partia e saj Konservatore mund të humbasë shumicën në parlament.

Ndonëse May kryeson në anketat e opinionit, shtatë sondazhe të kryera që nga sulmi i 22 majit në Mançester tregojnë se Partia Laburiste e opozitës po e ngushton distancën. Nga një numër anketash të fundit del se Kryeministrja May mund të mos fitojë me rezultat të ndjeshëm në zgjedhjet e 8 qershorit, siç parashikohej vetëm një muaj më parë. Në kontrast të dukshëm me sondazhet e opinionit që deri në javën e kaluar treguan se ajo do të fitonte bindshëm në zgjedhjet e parakohshme, anketat e modelit YouGov nxjerrin se ajo mund të humbasë 20 vende në parlamentin prej 650 vendesh. Kjo do të thotë se ajo mund të humbasë shumicën prej 17 vendesh më shumë që ka deri tani. Por duke folur gjatë fushatës në Plymouth, May i hodhi poshtë parashikimet, duke thënë se sondazhi i vetëm që ka rëndësi është votimi ditën e zgjedhjeve. Kryeministrja May i thirri zgjedhjet e parakohshme në përpjekje për të forcuar pozitën e saj në negociatat për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Ajo synon të fitojë kohë për të zbutur pasojat që do të kishte largimi nga BE-ja dhe për të forcuar kontrollin e saj në Partinë Konservatore. Por, në qoftë se nuk arrin ta tejkalojë shumicën prej 12 vendesh që ish-kryeministri David Cameron mori në vitin 2015, manovra e saj zgjedhore do të shënonte dështim dhe autoriteti i saj mund të dëmtohet, ndërkohë që ajo përpiqet të mbajë premtimin që u ka dhënë votuesve se procesi i ndarjes nga BE-ja do të realizohet me sukses.