McCain: Rusia dhe Putin janë kërcënim më i madh se ISIS
https://parstoday.ir/sq/news/world-i52182-mccain_rusia_dhe_putin_janë_kërcënim_më_i_madh_se_isis
Senatori amerikan John McCain thotë se ai e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si "sfidën më të madhe për SHBA", më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist ISIS.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 31, 2017 15:51 Europe/Tirane
  • McCain: Rusia dhe Putin janë kërcënim më i madh se ISIS

Senatori amerikan John McCain thotë se ai e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si "sfidën më të madhe për SHBA", më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist ISIS.

Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Kompanisë Australiane të Transmetimeve se Putini është përpjekur të "shkatërrojë thelbin e demokracisë" me orvatjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane. John McCain, senator republikan i shtetit Arizona, tha se nuk ka parë ndonjë provë që Rusia t’ia ketë arritur qëllimit. Por, - tha ai, - ata ende përpiqen të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve. "Ata sapo u përpoqën të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve franceze. Prandaj, unë e shoh Vladimir Putinin, i cili ka copëtuar shtetin sovran të Ukrainës dhe që po ushtron presion ndaj Baltikut, i shoh rusët si sfida më e madhe që kemi." Komentet vijnë ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump përballet me hetime, të cilat synojnë të sqarojnë nëse ekipi i fushatës së tij ka patur lidhje me Rusinë. Këtu përfshihen njoftimet se Jared Kushner, dhëndër i Presidentit dhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, është përpjekur të krijojë një kanal të fshehtë komunikimi me zyrtarët rusë në javët para përurimit të Trump. "Pikëpamja ime është se kjo nuk më pëlqen, por thjesht nuk e di. Di që disa zyrtarë të administratës kanë thënë se kjo është ‘një procedurë standarde’. Nuk mendoj se është procedurë standarde që, përpara përurimit të një Presidenti të Shteteve të Bashkuara, të veprohet kështu nga dikush i cili nuk është emëruar në atë pozitë.” Gazeta New York Times, citon zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks, sipas të cilës Kushner "po vepronte si zyrtar i ekipit kalimtar" dhe se ka rënë dakord të diskutojë me ligjvënësit rreth takimeve të tij me rusët. Presidenti Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim se fushata e tij ka qenë e lidhur me Rusinë. 36-vjeçari Kushner, biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork përpara se t’i bashkohej stafit të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, është martuar me vajzën e madhe të zotit Trump, Ivankën, e cila gjithashtu është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë. Sipas disa mediave Jared Kushner u përpoq të krijonte lidhje komunikimi të fshehta me Moskën, kur u takua me ambasadorin e Kremlinit në SHBA, Sergej Kislyak, në fillim të dhjetorit të kaluar. Për të hetuar çështjen është emëruar një prokuror i posaçëm, ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller. Ndërkaq, komisionet e Kongresit u kanë bërë thirrje disa prej ndihmësve të tanishëm dhe të mëparshëm të Trump që të dëshmojnë.