Marrëveshja e klimës, BE dhe Kina kundër tërheqjes së Trump
Në kushtet kur Presidenti Trump ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për klimën, liderët e Bashkimit Europian dhe Kinës pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët, në të cilën do të shprehin kundërshtitë e tyre në lidhje me veprim të tillë.
Brukseli dhe Pekini, në dokumentin e tyre e konsiderojnë akordin një sukses historik, ndërsa bëjnë thirrje për zbatimin e tij. Liderët e Bashkimit Europian dhe Kinës pritet të publikojnë shumë shpejt një qëndrim të përbashkët sa i përket marrëveshjes së arritur në Paris për ndryshimet klimaterike, ku do të shfaqin angazhim maksimal në lidhje me zbatimin e arkodit. Sipas ekspertëve, ky dokument është një qëndrim kundër qëllimit të Presidentit amerikan Donald Trump, për t’u tërhequr nga pakti që gjeti përkrahjen e 195 vendeve të botës. Liderët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Kinës nënvizojnë rreziqet që u kanosen planetit si rrjedhojë e rritjes së temperaturave. Gjithashtu, palët kërkojnë përmirësimin e strategjive për përdorimin e energjisë së pastër, si një rrugëzgjidhje. “Bashkimi Europian dhe Kina e konsiderojnë një sukses historik akordin për të kufizuar emetimin e gazeve të dëmshme në atmosferë”, shkruhet më tej në qëndrimin e përbashkët. Ditën e sotme, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të japë verdiktin e tij përfundimtar, nëse do të pranojë të zbatojë marrëveshjen, apo nëse do të tërhiqet prej saj.