12 të arrestuar për sulmin terrorist në Londër
Dymbëdhjetë persona janë arrestuar pas sulmit terrorist në Londër, i cili ka lënë shtatë persona të vdekur dhe 48 të plagosur.
Arrestimet në Barking, në lindje të Londrës, vijnë pas një bastisje në një banesë që i përket njërit prej tre sulmuesve. Sulmuesit u qëlluan për vdekje nga tetë policë që qëlluan 50 plumba. 8 oficerë policie zbrazën rreth 50 plumba ndaj tre terroristëve që sulmuan civilët me thika, një numër i paprecedent plumbash i përdorur ndonjëherë nga policia britanike, sidomos në një incident të vetëm. Reagimi i ashpër i policisë, plotësisht i justifikueshëm në atë situatë, u konfirmua edhe nga shefi i antiterrorit Mark Rowley. Ky i fundit, deklaroi se policët duhej të siguroheshin që agresorët ishin të vdekur, mbi të gjitha pasi kishin veshur ato që dukeshin si jelekë eksplozivë, pavarësisht se më vonë u konfirmua që ishin të rremë. Megjithatë, ai shtoi se ka nisur një hetim i brendshëm për të vlerësuar reagimin e policisë. Shumica e oficerëve të policisë në Britani janë të paarmatosur dhe përdorimi i armëve të zjarrit nga ata nuk është aspak i zakontë.