Mali i Zi zyrtarisht anëtar i NATO-s
(last modified Tue, 06 Jun 2017 18:50:46 GMT )
Qershor 06, 2017 20:50 Europe/Tirane
  • Mali i Zi zyrtarisht anëtar i NATO-s

Mali i Zi është bërë këtë të hënë anëtari i ri i NATO-s, duke nënshkruar aderimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut në selinë e Departamentit amerikan të Shtetit, në Uashington.

Në ceremoninë e rastit merrte pjesë edhe sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili nënvizoi se hyrja e Malit të Zi në Aleancë i kontribuon paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.  Gjithashtu, deklaroi Stoltenberg, ky anëtarësim është një mesazh i fortë se dyert e NATO-s mbeten të hapura për të gjithë.  Ceremonia u ndoq nga kryeministri malazez Dusko Markoviç dhe ministri i Jashtëm, Srdan Darmanoviç, ndërsa u organizua nga nënsekretari për Çështjet Politike, Thomas A. Shanon.  “Sot Mali i Zi i bashkohet NATO-s, duke pasur në këtë organizatë ulësen e tij si shtet i barabartë dhe që me zërin e tij do të ndihmojë për t’i dhënë formë Aleancës”, tha Stoltenberg. Ai nënvizoi se NATO do të ketë përfitime nga anëtarësimi i këtij vendi dhe natyrisht vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor që bëjnë pjesë në të.  Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare firmosën Protokollin e Anëtarësimit në maj të vitit 2016, pasi parlamentet përkatëse kishin ratifikuar më herët aderimin e Malit të Zi. Ceremonia për ngritjen e flamurit malazez në selinë e NATO-s do të mbahet më 7 qershor. Anëtarësimi i sotëm është i pari që prej 1 prillit të vitit 2009, kur anëtare u bënë Shqipëria dhe Kroacia. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Igor Llukshiq, njëherësh ministër i Jashtëm i këtij vendi, ka vlerësuar se ftesa e NATO-s, është “sinjal pozitiv për gjithë Ballkanin Perëndimor”. Ai ka premtuar se Mali i Zi do t’i vazhdojë reformat, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sektorit të mbrojtjes. Rusia, e cila për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s, i ka tërhequr vërejtjen Malit të Zi se anëtarësimin në aleancë do ta konsiderohej si provokim. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot në Moskë se vazhdimi i zgjerimit të NATO-s në lindje, do të çojë në masa hakmarrëse nga Rusia, raporton agjencia Reuters nga Moska. Në anën tjetër, Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër Rusisë. Rusia po ashtu thuhet se do t’i ndalojë projektet e përbashkëta me Malin e Zi nëse ish-vendi komunist i bashkohet NATO-s, ka cituar agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA një senator rus të ketë thënë sot. Viktor Ozerov, shef i komitetit për mbrojtje dhe siguri i Këshillit të Federatës Ruse, ka thënë se projektet që mund të përfundojnë para kohe përfshijnë edhe ato në fushën ushtarake.

 

Tags