Putin akuzon Amerikën për përdorim të terrorizmit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kritikoi fuqishëm politikën e jashtme amerikane gjatë dy dekadave të kaluara.
Ai tha se bëhet fjalë për një “shpërdorim të pushtetit”, i cili ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe gjithë rendin ndërkombëtar. Duke folur në një sesion me pyetje-përgjigje, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, të moderuar nga gazetarja amerikane, Megyn Kelly, Putin akuzoi SHBA-në për “ndërhyrje të ashpra dhe sistematike në çështjet ruse për vite të tëra”. Putin po ashtu tha se SHBA-ja ka promovuar “grushtshtetin antiqeveritar në Ukrainë”. Po sipas tij, SHBA është përgjegjëse për jostabilitetin në Libi, Egjipt, Irak dhe Siri, ndërsa raportet e Perëndimit se Qeveria siriane ka kryer sulm kimik në muajin prill “kanë qenë provokim, me qëllim diskreditimin e presidentit sirian, Bashar Asad”. Për NATO-n, Putin tha se është “instrument i politikës së jashtme amerikane”. Vladimir Putin në një intervistë dhënë Oliver Stone ka sfiduar sistemin mbrojtës raketor të Amerikës. Presidenti i Rusisë tha se sistemi raketor i Amerikës nuk mund të mbulojë të gjithë këtë vend. Sipas presidentin Putin ky sistem nuk mund të garantojë sigurinë dhe nuk mund të mbrojë të gjithë territorin e Amerikës. Putin gjithashtu shprehu dyshime mbi fitoren e Amerikës në luftën e gjerë mes Rusisë dhe Amerikës dhe tha se në një luftë të tillë askush nuk do të dalë i gjallë. Dokumentari ‘ Intervista me Putin” do të transmetohet më 12-15 qershor në kanalin Showtime. Presidenti i Rusisë kritikoi qëndrimet e SHBA ndaj Koresë së Veriut dhe deklaroi: “Edhe nëse Koreja e Veriut ndalon të gjitha aktivitetet e saj raketore dhe bërthamore, Amerika nuk do të heqë dorë nga dislokimi i sistemit antiraketor THAAD në Korenë e Jugut”. Vladimir Putin, në një takim me drejtues të mediave ruse dhe të huaja në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, tha se qëllimi i zhurmës së madhe që bëhet nga Uashingtoni kundër Phenianit është dislokimi i sistemit antiraketor THAAD në Korenë e Jugut për të sfiduar Rusinë dhe Kinën. “Edhe sikur nesër Pheniani të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet e tij raketore dhe bërthamore, Amerika nuk do të heqë dorë nga dislokimi i sistemit THAAD”-deklaroi Putin. Ndër të tjera, sipas Putinit, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është një prej pikave kryesore, në të cilat Moska dhe Perëndimi duhet të bashkëpunojnë mes tyre. “Boll më me shpikjen e kërcënimeve imagjinare nga Rusia. Të shohësh sulme me bomba në Paris e në pjesë të tjera të Europës, të bëhesh dëshmitar i konflikteve në Lindjen e Mesme, e sërish të dëgjosh spekulime mbi rrezikun e Rusisë. Kjo është mjaft e çuditshme”, tha shefi i Kremlinit. Ai mbrojti presidentin sirian Bashar Asad, duke theksuar se qeveria siriane ndodhet në frontin e parë të luftës kundër terrorizmit dhe duke kujtuar se nuk ka prova që tregojnë se kreu i Damaskut ka përdorur armët kimike kundër popullit të vet.