Putin bisedon me mbretin Salman për krizën me Katarin
Presidenti rus, Vladimir Putin i shprehu shqetësimet e tij sot mbretit Salman të Arabisë Saudite, për krizën mes Katarit dhe fqinjëve të tij të Gjirit Persik.
“Gjatë një bisede telefonike, krerët e dy shteteve kanë ndarë opinionet e tyre për situatën në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, duke përmendur edhe përkeqësimin e situatës në Katar që, fatkeqësisht, nuk është e përshtatshme për konsolidimin e përpjekjeve të përbashkëta për rregullimin e situatës në Siri”, njoftoi Kremlini në një komunikatë. Arabia Saudite dhe aleatët e saj ndërprenë më 5 qershor marrëdhëniet e tyre diplomatike me Katarin, duke e akuzuar se kishte lidhje me organizata terroriste dhe grupe sektare që kërkojnë të destabilizojnë rajonin, mes tyre përmenden Vëllazëria Myslimane, ISIS-i dhe Al Kaeda. Katarin këto vende e akuzojnë gjithashtu edhe për afrimin me Iranin. Doha i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.