Marrëveshje për qeverinë e re britanike
https://parstoday.ir/sq/news/world-i54122-marrëveshje_për_qeverinë_e_re_britanike
Konservatorët e kryeministres Theresa May arritën një marrëveshje me unionistët demokratë, të cilëve u shkëputi zyrtarisht zotimin për ta mbështetur qeverinë e saj të pakicës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 26, 2017 16:09 Europe/Tirane
  • Marrëveshje për qeverinë e re britanike

Konservatorët e kryeministres Theresa May arritën një marrëveshje me unionistët demokratë, të cilëve u shkëputi zyrtarisht zotimin për ta mbështetur qeverinë e saj të pakicës.

Ujdia vuloset dy javë pas zgjedhjeve, që i hoqën Partisë Konservatore mazhorancën parlamentare. May ishte tepër e sigurtë dhe mandatin e kërkonte për të formuar një qeveri të fortë, e në pozita shumë më të qëndrueshme në raport me bisedimet e “Brexit”. Por shefja e ekzekutivit britanik i kishte bërë llogaritë gabim. Edhe sondazhet që parashikonin shkatërrimin total të laburistëve u hodhën në koshin e mbeturinave, sepse votuesit britanikë kishin tjetër gjë në kokë. Falë irlandezëve të “DUP”, sidoqoftë, May arrin të qëndrojë në pushtet, edhe pse pas zgjedhjeve, figura brenda vet partisë së saj i kërkuan që të jepte dorëheqjen. Përkrahja nga 10 ligjvënës të “DUP” vjen në këmbim të një miliard paund shtesë, që do të jepen për Irlandën e Veriut gjatë dy viteve të ardhshme. Kryetarja e unionistëve demokratë, Arlene Foster deklaroi se ky pakt është pozitiv, si për Irlandën e Veriut, ashtu edhe për Britaninë e Madhe. Pjesë e tij është edhe përmirësimi i trajtimit të veteranëve ushtarakë në Irlandën e Veriut. Kryeministres May i mungonin 9 vende në Parlament për një mazhorancë të sigurtë, gjë që e detyronte të varej nga parti të tjera për mbështetje. Ekspertët sqarojnë se sistemi britanik nuk është i krijuar për këtë gjendje politike. Në shumë vende të tjera, koalicionet në situata të tilla funksionojnë më së miri, por për Britaninë e Madhe, - thonë ata, - një Parlament pa shumicë absolute është një qorrsokak. Në rastin aktual, nuk dihet po kështu sa forcë do të ketë qeveria e pakicës në marrjen e vendimeve mbi “Brexit”. Ndërkohë, udhëheqësit europianë druhen se qeveria e Theresa Mayt është tepër e brishtë për të negociuar kushte të zbatueshme për të lënë unionin, gjë që do të thotë se diskutimet që nisën zyrtarisht të hënën mund të përfundojnë me një “Brexit” brutal, pra pa asnjë marrëveshje. Pritet që detaje të merren vesh në vitin 2018, por përpara kësaj, një moment kyç do të jetë samiti i udhëheqësve të BE-së në tetor, kur kryenegociatori Michel Barnier të paraqesë progresin e arritur. Ky i fundit, bashkë me ministrin britanik për “Brexit”, David Davis, do të përmbyllin ditën e parë të bisedimeve me një konferencë për shtyp në mbrëmje, ku zor se do të flitet për më shumë sesa, mbase, fryma e mirë e bashkëpunimit. Në kuadër të negociatave, ministri britanik i Financave Philip Hammond tha se, nëse nuk arrihet një marrëveshje do të ishte një rezultat shumë i keq për Britaninë, por jo më i keq sesa një marrëveshje që me dashje synon të dëmtojë ekonominë britanike në vitet në vazhdim.