Testi raketor, përgjigje e Penianit ndaj kërcënimeve të SHBA
Është përshkallëzuar situata në gadishullin korean, pasi Peniani ka testuar këtë herë një raketë balistike ndërkontinentale.
Raketa ka fluturuar për 37 minuta dhe më pas ka përfunduar në ujërat territoriale japoneze. “Lëshimi i raketës ka rezultuar me sukses”, ka njoftuar qeveria në Penian, duke acaruar fqinjët. Raketa u hodh nga aeroporti Panghyon dhe fluturoi për 37 minuta përpara se të zbriste në Detin e Japonisë, tha Komanda e Paqësorit të SHBA-ve. “Testi i sotëm i Veriut tregon qartë se si kërcënimi i Penianit bëhet gjithmonë e më i rrezikshëm”, ka deklaruar kryeministri japonez Shinzo Abe. Lidhur me testin ka reaguar edhe Seuli zyrtar. Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se raketa ka fluturuar për 930 kilometra nga baza Banghjun, në një provincë në veri të Penianit, ndërkohë që detajet si lartësia dhe shpejtësia janë ende në fazë verifikimi. Zëdhënësi i forcave të armatosura koreano-jugore ka shtuar se, ushtria vazhdon të jetë në gjendje gatishmërie për t’i bërë ballë provokimeve të Koresë së Veriut. Raketa ka rënë në ujërat që Japonia i konsideron si zonë të saj ekskluzive ekonomike, sipas zyrtarëve japonezë. SHBA thotë se kjo nuk përbën ndonjë kërcënim për Amerikën e Veriut. Koreja Veriore deklaroi sot se në mënyrë të suksesshme e ka testuar një raketë të re ndërkontinentale balistike, që ka kapacitet për të arritur në secilin cak në gjithë botën. Ky test është hapi i fundit i Koresë Veriore për zhvillimin e sistemit për bartje të armatimit atomik, që do të ishte i aftë për ta goditur secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Ushtria e Koresë Jugore tha se raketa veri-koreane ka fluturuar 930 kilometra, para se të binte në Detin e Japonisë, afër një zone ekonomike ekskluzive japoneze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në rrjetin Twitter ka kërkuar që Kina, që është aleati më i madh i Koresë Veriore, “të ushtrojë lëvizje të rëndë në Korenë Veriore dhe njëherë e përgjithmonë ta përfundojë këtë marrëzi”. Testi i fundit vjen pas një seri provash të raketave tokë-ajër të kryera nga baza lindore Uonsan muajin e kaluar. në këtë rast, distanca e përshkuar nga raketa ishte 200 kilometra, në gjendje të godasë njësitë detare.