BE e pakënaqur me propozimin e May për europianët në Britani
Parlamenti Europian duket se nuk është pajtuar me propozimin e Kryeministres Theresa May në lidhje me të drejtat që do t’u garantohen qytetarëve europianë që jetojnë në Britani, pas daljes së vendit ishullor nga BE-ja.
Në një të përbashkët deklaratë zyrtare, kryetarët e grupeve me të mëdha parlamentare në PE nënvizojnë se paketa që u është vendosur përpara u jep europianëve më pak të drejta se britanikëve si dhe krijon pasiguri për miliona qytetarë. Megjithatë, nuk ndan të njëjtin mendim Londra, e cila e konsideron propozimin një bazë të fortë për të vijuar negociatat. Propozimi i Kryeministres, Theresa May, për t’i dhënë afro 3.2 milionë qytetarëve europianë një status të veçantë pas daljes së Briatnisë nga Bashkimi Europian duket se nuk është përkrahur nga Brukseli, i cili përmes një deklarate vë në dukje se kjo paketë u jep europianëve më pak të drejta se britanikëve në vendin ishullor. Kryenegociatori për çështjen Brexit nga Parlamenti Europian, Guy Verhofshtad, e quan idenë e May një satirë të pakëndshme, ndërsa kërkon që kjo pikë të rishikohet. Deklarata zyrtare e tij është mbështetur edhe nga drejtuesit e katër grupeve parlamentare më të mëdha në Parlamentin Europian. Në dokument theksohet se eurodeputetët nuk do të mbështesin asnjë nismë e cila u heq qytetarëve europianë ato të drejta që u janë njohur deri më tani.