Venezuela manovra ushtarake në përgjigje të kërcënimeve të Amerikës
Presidenti i Venezuelës ka urdhëruar organizimin e manovrave ushtarake në përgjigje të kërcënimeve ushtarake të presidentit amerikan.
Nikolas Maduro, ditën e hënë në mesin e mijëra përkrahësve të tij në Karakas, dha urdhër për kryerjen e manovrave ushtarake. Qeveria e Venezuelës ka paraqitur një kritikë të ashpër ndaj komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një “opsion ushtarak” potencial, për zgjidhjen e krizës politike në këtë vend të Amerikës Latine. Në deklaratën e lexuar nga ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, gjatë një takimi me diplomatët e jashtëm në kryeqytetin Karakas, u theksua se komentet e Trumpit ishin akti më skandaloz luftënxitës kundër Venezuelës, për një shekull dhe kjo paraqet kërcënim për stabilitetin e Amerikës Latine. Arreaza e cilësoi presidentin Trump si “shef të perandorisë” dhe tha se komentet e tij para dy ditësh paraqesin model të agresionit kundër sovranitetit të Venezuelës. Arreaza tha, po ashtu, se deklaratat e Trumpit paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në mesin e diplomatëve që ishin të pranishëm gjatë leximit të deklaratës nga ana e ministrit Arreaza, ishte edhe përfaqësuesi më i lartë diplomatik amerikan në Venezuelë, Lee McClenny, i cili është shef i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Venezuelë. Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela nuk i kanë këmbyer ambasadorët prej vitit 2010.