Berlini në zgjedhje dhe reagimet e jashtme
Mes Gjermanisë dhe Turqisë tensionet vazhdojnë.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje turqve në Gjermani që të votojnë kundër partive të mëdha në zgjedhjet e muajit të ardhshëm dhe i quajti kristian-demokratët e Angela Merkelit armiq të Turqisë. Gjatë një fjalimi të ashpër pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogan u kërkoi turqve etnikë në Gjermani tu japin një leksion këtyre partive. "U them të gjithë bashkombasve të mi në Gjermani: kristian-demokratët, SPD-ja dhe Partia e Gjelbër janë të gjithë armiq të Turqisë. Mbështesni ato parti që nuk janë armiq për ne”, tha Erdogan. Deklaratet e Erdoganit, ndër më të fortat e bëra deri më tani kundër kancelares Merkel nxitën kundërpërgjigje të ashpër nga liderja gjermane, qeveria e saj dhe disa organizata turke në Gjermani, që nxorën në pah krisjen e thellë mes aleatëve të NATO-s dhe partnerëve të ngushtë tregtarë. "Nuk do të tolerojmë asnjë lloj ndërhyrjeje”, ishte reagimi i prerë i Merkelit gjatë një tubimi në qytetin perëndimor të Hefordit, ndërsa ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel i cilësoi komentet si një ndërhyrje të paprecedentë në sovranitetin e Gjermanisë.