Italia shqetësohet nga kthimi i terroristëve
Kryeministri italian Paolo Gentiloni shprehu shqetësimin për shfaqjen e mundshme të sulmeve terroriste në Itali.
Gentiloni ka thënë se asnjë vend, përfshirë Italinë, nuk mund të ndjehet i sigurt nga kërcënimet terroriste. Në ditët e fundit, disa media të lidhur me grupe terroriste e kanë shpallur Italinë objektivin e ardhshëm. Javën e kaluar, 14 vetë u vranë dhe më shumë se 100 të plagosur në dy sulme terroriste në Katalunja, në verilindje të Spanjës, ku ISIS mori përgjegjësinë. Sipas vëzhguesve politikë, çështja e terrorizmit dhe shqetësimeve të sigurisë është aktualisht problemi më i madh për vendet evropiane. Kur vala e terrorizmit takfirist u shtri në Siri dhe Irak, vendet evropiane nën pretekstin e mbështetjes së të ashtuquajturve grupe demokratike nuk bënë asnjë përpjekje për t'i ndaluar shtetasit e tyre për t’ju bashkuar grupeve terroriste. Për të ndihmuar grupet terroriste në Siri dhe Irak, shtetet perëndimore lejuan transferimin e armëve të avancuara dhe hapën kufijtë evropianë për të lejuar të largohen ata që synojnë të bashkohen me ISIS. Sipas statistikave të BE-së, rreth dhjetë mijë persona nga vendet evropiane kanë shkuar në Irak dhe Siri për të bashkëpunuar me ISIS. 7 mijë evropianë që nga viti 2013 e deri tani i janë bashkuar grupit terrorist ISIS duke luftuar në Irak dhe në Siri. Një prej qendrave hulumtuese të terrorizmit në Francë thotë se 70% e evropianëve që kanë shkuar në Siri dhe në Irak janë nga Franca, Anglia dhe Gjermania, ndërsa pjesa tjetër janë nga vendet e tjera evropiane. 2183 janë shtetas francezë, 1700 shtetas anglezë, 870 shtetas gjerman, 614 shtetas belg, 300 suedezë, 280 austriak, 260 holandez dhe pjesa tjetër nga vendet e tjera evropiane. Autoritetet franceze në kuadër të luftës kundër terrorizmit kanë parandaluar largimin e 380 shtetasve francezë të cilët synonin të shkonin për luftë në Irak dhe në Siri. Gjatë luftimeve të ISIS, janë vrarë mbi 200 shtetas evropianë. Ndërkohë ky hulumtim kërkon marrjen e masave për ndalimin e anëtarësimit të evropianëve tek grupi terrorist ISIS. Sipas gazetës franceze Le Figaro, pas humbjes së grupit terrorist ISIS në Mosul dhe tërheqjes së këtij grupi në qytetin Raka në veri-lindje të Sirisë, 1,000 deri në 3,000 ekstremistë që luftuan në radhët e ISIS, u kthyen në Evropë, dhe kjo është çështja që preokupon Evropën. Natyrisht, disa prej këtyre terroristëve kanë hyrë në vendet evropiane midis refugjatëve dhe azilkërkuesve. Ekspertët politikë konsiderojnë se një prej objektivave më të rëndësishëm të terroristëve të lidhur me ISIS është krijimi i një ndjenje të frikës dhe tmerrit midis evropianëve.