Samiti i Parisit për zgjidhjen e krizës së emigrantëve
Presidenti francez, Emmanuel Macron zhvillon një samit me disa udhëheqës europianë dhe afrikanë, që ka për synim të forcojë përpjekjet për të frenuar fluksin e emigrantëve përmes Mesdheut.
Bisedimet e Parisit përfshijnë edhe udhëheqës nga Çadi, Nigeri dhe Libia, vendet kryesore të tranzitit për emigrantët, të cilët rrezikojnë jetët e tyre në përpjekje për të mbërritur Europën. Mes udhëheqësve do të jenë edhe ata nga Gjermania, Italia dhe Spanja, respektivisht Angela Merkel, Paolo Gentiloni dhe Mariano Rajoy. Me synimin për të frenuar fluksin, Macron kërkon që kërkesat për azil të menaxhohen pikërisht në Afrikë. Ai ka folur për ngritjen e disa “hotspot”-eve në Çad, Niger dhe Libi për të proceduar me aplikimet e azilit, megjithatë destabiliteti kronik në Libi mund të rezultojë një pengesë e madhe që këto qendra të operojnë atje. Ndërkohë, pavarësisht kritikave, Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrojti vendimin e saj për të hapur kufijtë e Gjermanisë në vitin 2015, e u bëri thirrje vendeve të BE-së të solidarizohen me refugjatët. Sipas Merkelit, vendimi i marrë në vitin 2015 kishte qenë i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare. E megjithatë, ajo e pranoi se ligji i BE-së në atë kohë kishte qenë i papërshtatshëm për të menaxhuar fluksin e paprecedentë të refugjatëve. Ajo kritikoi të ashtuquajturën “Marrëveshje e Dublinit” për shpërndarjen e refugjatëve. “Nuk mund të lejohet që Greqia apo Italia të jenë të vetmuara në këtë krizë, vetëm sepse kanë një pozitë të tillë gjeografike dhe se refugjatët arrijnë së pari në këto vende”, thotë Merkel. Rregullat e Dublinit parashikojnë që vendi përgjegjës për një refugjat është ai ku personi ka ardhur për herë të parë dhe ka paraqitur atje kërkesën për azil. Kancelarja foli gjithashtu edhe për çështjen e bashkëpunimit të BE-së me Libinë për refugjatët, e vënë në shënjestër të kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut, që pretendojnë se emigrantët në vend u nënshtrohen abuzimeve të shumëllojshme. Rreth 100 mijë emigrantë kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit nga Libia drejt Italisë vetëm këtë vit, ndërsa Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara njofton se mbi 2.000 vetë kanë vdekur në të tilla udhëtime. Në korrik, numri i atyre që kalonin Mesdheun drejt Italisë ra me 57% krahasuar me qershorin, pjesërisht për shkak se Italia ka përforcuar bashkëpunimin me forcat e sigurisë libiane, thonë disa zyrtarë. Por, Italia i ka nxitur prej kohësh partnerët e BE-së të ndihmojnë në lehtësimin e kësaj barre strehimi të emigrantëve, pasi qendrat e saj të pritjes janë të mbipopulluara. Në vitin 2015, BE-ja u angazhua për 1.8 miliardë euro ndihmë në nismat për të ndihmuar vendet afrikane që të frenojnë fluksin e emigrantëve në Europë. Planet përfshijnë shtimin e kontrolleve kufitare veçanërisht në rrugët e shfrytëzuara nga emigrantët, por edhe krijimi i vendeve të punës për komunitetet e varfra. Por fokusi i përpjekjeve afatshkurtra është kthyer tashmë ne procedimin e kërkesave për azil në zyrat që pritet të ngrihen në Afrikë. Këtë vit, Spanja ka parë një rritje të numrit të emigrantëve, që udhëtojnë drejt tokës së saj nga Maroku. Shumica e tyre janë nga vendet e Afrikës Perëndimore, kryesisht nga Nigeria, Guinea dhe Bregu i Fildishtë. Në shumicën e rasteve, ata janë trajtuar si emigrantë ekonomikë, e jo si refugjatë që u largohen luftërave apo persekutimit.