Koreja e Veriut do të testojë më shumë raketa
Mediat e Koresë së Veriut kanë theksuar se Pheniani do të testojë më shumë raketa në drejtim të oqeanit Paqësor.
Testi më i fundit i raketave koreano-veriore, sigurisht nuk mund të kalonte pa një valë dënimesh ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Donald Trump tha se Peniani nuk po bën gjë tjetër, veçse po thellon izolimin e tij dhe se të gjitha opsionet janë tashmë mbi tryezë. Koreja e Veriut lëshoi një raketë, e cila kaloi mbi ishullin japonez të Hokaidos, për t’u përplasur më tej në oqeanin Paqësor. Peniani tha se ishte provokuar nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Koresë së Jugut dhe SHBA-ve, që sipas tij janë një përgatitje për pushtim. Rusia dhe Kina i kanë cilësuar gjithashtu stërvitjet si burim i tensioneve më të fundit. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thirrur një takim emergjent, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres tha se, hedhja e raketës kishte cenuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai i kërkoi Penianit të përmbushte detyrimet e tij ndërkombëtare. Ndërkohë nuk ka vonuar as reagimi i Rusisë, që nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, ka shprehur angazhimin ndaj rezolutave të OKB-së. Ndërsa Kina ka apeluar për vetëpërmbajtje nga të gjitha anët.