Kancelarja gjermane mbron politikën e saj ndaj refugjatëve
Megjithë kritikat kancelarja Merkel mbron politikën e saj ndaj refugjatëve dhe është kundër vendosjes së kuotave maksimale për refugjatët dhe migrantët.
Migrantët legalë nga Ballkani janë të mirëpritur, tha ajo. Në një intervistë me kanalin televiziv publik gjerman ZDF kancelarja Merkel u shpreh edhe për politikën e saj ndaj refugjatëve. Jo vetëm partia simotër e CDU-së, CSU-ja, kërkon vendosjen e kuotave maksimale për pranimin e refugjatëve. Këtë e kërkojnë edhe politikanë të CDU-së, si ministri i Financave Wolfgang Schäuble, që është shprehur për një orkan refugjatësh drejt Gjermanisë. Kancelarja Merkel përsëriti formulën e saj “ne mund t’ia dalim mbanë” dhe tha se kufijtë maksimalë nuk mund të përcaktohen në mënyrë të njëanshme. Por ajo theksoi se në lidhje me refugjatët nga Afrika ndjek idenë e një reduktimi të numrit të refugjatëve ilegalë dhe përcaktimit të kontigjenteve legale si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.