Shtohen pengesat për refugjatët në Evropë
Kryeministri i Hungarisë kërkon t'ia kalojë Bashkimit Evropian shpenzimet për gardhin e tij në kufi, i cili synon të ndalojë refugjatët.
Këtë kërkesë Orbani e ka formuluar në një letër dërguar Kryetarit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Në të ai kërkon një shumë prej 400 milionë eurosh. Bashkimi Evropian duhet të përballojë në këtë mënyrë gjysmën e shpenzimeve për ndërtimin dhe mbajtjen deri tani në punë të pajisjeve të gardhit në kufirin jugor të Hungarisë, kërkoi ministri i kabinetit të Orbanit, Janos Lazar para shtypit në Budapest. "Kur flasim për solidaritet evropian, duhet të flasim edhe për mbrojtjen e kufirit dhe atëherë solidariteti duhet të përjetohet edhe në praktikë", deklaroi Lazar. "Si rrjedhojë e kësaj, partitë unioniste duhet të marrin pjesë në shpenzime". Gardhi që ka kushtuar 800 milionë euro nuk mbron vetëm Hungarinë, por edhe pjesën tjetër të Evropës, deklaroi ai. Në vitin 2015, përmes Hungarisë shkuan në Evropë më shumë se 400.000 refugjatë. Pas kësaj, Hungaria ngriti një gardh të forcuar me tela me gjemba në kufi me Serbinë. Gardhi më vonë u zgjerua dhe u zgjat deri në kufi me Kroacinë. Për ta ruajtur atë u dërguan 3000 kufitarë. Gardhi hungarez kontribuoi në mbylljen e të ashtuquajturit itinerar ballkanik, përmes të cilit erdhën në Gjermani shumë refugjatë. Që atëherë, thuajse asnjë refugjat nuk e ndjek më këtë rrugë. BE e ka kritikuar ashpër këtë fortifikim të kufirit. Gardhi luan një rol qendror simbolik në politikën demonstrative të izolimit të Orbanit ndaj refugjatëve. Qeveria me drejtim të djathtë e Hungarisë ndjek një politikë të frikësimit sistematik të migrantëve. Ata pak refugjatë që arrijnë të hyjnë në vend mbahen në zona tranzit pranë kufirit. Me anë të fushatave plot urrejtje kundër refugjatëve dhe me anë të demonizimit të mbrojtësve civilë, Orbani e forcoi pozicionin e tij në politikën e brendshme. Migrimin, Orbani e quajti së fundi "kalë troje për terrorizmin". Në kulmin e krizës aktuale të refugjatëve, Gjermania pranoi më shumë se një milion vetë, shtete të tjera të BE pranuan qindra mijëra refugjatë të tjerë. Në krahasim me presionin në rritje të popullatës nga Afrika, kjo duket një shifër shumë e vogël. Por në të gjithë Evropën, gjatë kësaj kohe u shtua shumë armiqësia kundër të huajve, kudo partitë e djathta po forcohen. Për momentin duket se forcimi i tyre nuk po avancon, por kjo ndodh vetëm sepse lëvizja e madhe migratore e 2015/2016 është ulur disi. Migrimi i pakontrolluar megjithatë po vazhdon dhe po shtohet, këtë herë përmes Mesdheut. Nga fillimi i këtij viti deri tani përmes porteve italiane kanë arritur 95.000 azilkërkues dhe emigrantë. Numri i tyre mund mund bëhet lehtë dy herë më i madh. Sepse për trafikantët "sezoni" nuk ka arritur ende kulmin e tij. Ministri i Jashtëm italian, Angelino Alfano, dha tani sinjalin e alarmit: ndihma nga Evropa është e pamjaftueshme, tha ai. Sepse shtetet e tjera të BE-së nuk po marrin mjaftueshëm azilantë nga Italia, dhe BE-ja nuk po kontribuon për financimin e strehimoreve të emigrantëve. Italia synon me Libinë një pakt si me Turqinë, i cili bëri që të ndërpritet vala e refugjatëve për në Greqi. Nëse Italia dhe Libia mbyllin rrugën Mesdhetare, një gjë është e qartë: presioni i emigrantëve nga Afrika për në Evropë nuk do të bjerë. Përkundrazi ai do të rritet vitet e ardhshme. Njerëzit thjesht do të gjejnë mënyra të tjera. Italia dhe Bashkimi Evropian mbështetet tek frikësimi dhe fortifikimi. Një nga rrugët e fundit për të kërkuar legalisht azil në BE po mbyllet tani. Sepse azil njerëzit mund të kërkojnë vetëm nëse hyjnë në territorin e BE-së. Në kufijtë e jashtëm të BE-së, qoftë në Hungari, Kroaci, Bullgari, Rumani dhe Greqi, kjo është vetëm një mundësi teorike. Kalaja e Evropës po i afrohet me marrëveshjen me Libinë edhe një hap të madh më tej qëllimit të deklaruar - mbylljes së plotë.