Mundësia e konfliktit shkatërrimtar në Gadishullin Korean
https://parstoday.ir/sq/news/world-i58358-mundësia_e_konfliktit_shkatërrimtar_në_gadishullin_korean
Retorika e luftës nga Peniani dhe Uashingtoni është përshkallëzuar ndjeshëm, e ndonëse shumë urojnë që ajo të mbetet në nivelin e shkëmbimit të kërcënimeve, fatkeqësisht skenari i një shpërthimi të konfliktit nuk është i pagjasë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 04, 2017 15:34 Europe/Tirane

Retorika e luftës nga Peniani dhe Uashingtoni është përshkallëzuar ndjeshëm, e ndonëse shumë urojnë që ajo të mbetet në nivelin e shkëmbimit të kërcënimeve, fatkeqësisht skenari i një shpërthimi të konfliktit nuk është i pagjasë.

Koreja e Veriut testoi së fundi një bombë me hidrogjen, duke bërë që në mbarë botën, po sidomos te fqinjët e saj, të bien kambanat e alarmit. Në këtë mënyrë, ky shtet është i vetmi në këtë shekulli që ka testuar bombën e hidrogjenit. Pavarësisht sanksioneve, izolimit dhe kërcënimeve, Korea Veriore me në krye me Kim Jong-un, nuk heq dorë nga programi bërthamor. Ngjarjet e fundit në Gadishullin Korean shkaktuan frikë kudo në botë, nga një luftë me përmasa shkatërrimtare. Agjencia e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, ka thënë se forca e bombës ishte qindra kilotonë dhe se mund të shpërthejë në lartësi të mëdha mbidetare. Po ashtu, u tha se të gjitha pjesët janë të “prodhimit vendor”. Në lidhje me testin e bombës me hidrogjen, ekspertët e sigurisë thonë se Koreja e Veriut po tregon se zotëron këtë teknologji të rrezikshme, gjë që ndryshon hartën e fuqive në botë. Pra, fjala është për një përparim teknologjik të këtij shteti që mund të ketë pasoja të mëdha kudo. Një pjesë e analistëve thonë se bota duhet të nis negociatat të reja me Penianin. Sidoqoftë, sot presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka mohuar e as pohuar sulmin e mundshëm amerikanë kundër Koresë së Veriut. Nëpërmjet një postimi të sotëm në rrjetin Twitter, lidhur me provën e Koresë Veriore, ai ka vlerësuar se “fjalët dhe aksionet e saj vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara”. Më tutje, në një mesazh të ndarë, ai e ka përshkruar Korenë Veriore si “vend i papërgjegjshëm që është shndërruar në kërcënim të madh dhe shqetësim për Kinën, që po përpiqet të ndihmoj, por me pak sukses”. Ndërkohë, shefi i Pentagonit, James Mattis, thotë se çdo kërcënim ndaj SHBA-ve ose aleatëve të saj nga Koreja e Veriut, do të ballafaqohet me një “reagim masiv ushtarak”. Mattis shtoi se SHBA ka shumë alternativa për një luftë me Korenë e Veriut. Reagime ka pasur edhe nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ka njoftuar se do të mbajë një takim urgjent të hënën, për diskutime pas testit të fundit bërthamor të Koresë së Veriut. Ky takim i jashtëzakonshëm do të mbahet pas kërkesës së SHBA-ve, Japonisë, Britanisë, Francës dhe Koresë së Jugut. Ndërkohë, është propozuar që të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet tregtare me Korenë e Veriut madje edhe me shtetet që bëjnë tregti me Penianin, ku prin Kina. Këtë ide e ka dhënë presidenti amerikan, Donald Trump. Megjithë presionet e shumta, Seuli zyrtar njoftoi se ka zbuluar shenja që Koreja e Veriut është duke u përgatitur për të kryer një tjetër testim, të lëshojë një rakete balistike ndërkontinentale. Për herë të fundit, shteti komunist lëshoi raketë balistike të martën e kaluar duke alarmuar ndërkombëtarët. Raketa kaloi mbi Japoni dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor. Ndërkohë, natën e kaluar, ushtria e Koresë së Jugut zhvilloi një stërvitje duke simuluar një sulm në vendin bërthamor të Veriut, duke arritur “caqet e përcaktuara në Detin Lindor”. Në një kohë që Uashingtoni dhe Peaniani po u bien kambanave të luftës, Rusia dhe Kina bënë thirrje për vetpërmbajtje nga të gjitha palët. Presidenti kinez në takimin e krerëve të organizatës BRICS deklaroi se kriza në Gadishullin Korean ka vetëm zgjidhje politike, ndërsa Vladimir Putin akuzoi SHBA-të për injorim të negociatave dhe se kanë folur me Penianin vetëm me “gjuhën e shantazheve dhe sanksioneve”.